Ardhja në Tiranë e 27 kryetarëve të shteteve, anëtare të BE, dhe atyre të BP ka vendosur kryeqytetin në masa të rrepta sigurie. Policia rrugore ka përcaktuar perimetrin e sigurisë së lartë. Për mbarëvajtjen e samitit ajo ka publikuar hartën e rrugëve, në të cilat nuk lejohet kalimi dhe parkimi i automjeteve, Që në orën 06:00 të mëngjesit policia ka mbyllur hyrjet në Tiranë nga Durrësi, Elbasani dhe qytetet në veri të vendit.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i bllokuar. Në njoftimin e Policisë rrugore bëhet me dije që ”për mbarëvajtjen e samitit do të ketë bllokime të disa akseve rrugore urbane dhe interurbane të Tiranës”.
Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara nga LSA, bulevardi është rrethuar me kangjella prej hekuri, ndërsa ruhet nga shumë efektivë policie. Kujtojmë se qeveria ka marrë masat në kuadër të masave të sigurisë për samitin e BE që do të mbahet sot në Tiranë.