Broja thyen “akullin”, shënon gol për Vitessen (VIDEO)

Armando Broja i ka dhënë fund thatësisë para portës në kampionatin holandez, duke tundur rrjetën 2 muaj pas herës së fundit me fanellën e Vitessen.  Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka realizuar sot në minutën e 26 të ndeshjes ndaj Zwolle në kampionat golin e avantazhit për skuadrën e tij, i pari që nga 2 marsi i këtij viti për lojtarin.

Një gol i rëndësishëm, pasi çoi në 10 numrin e golave të shënuar nga Broja në kampionatin holandez në vitin e tij të parë mes profesionistëve. Kjo është padyshim një shifër shumë e rëndësishme, pasi lojtari arriti kështu të kalonte atë që kishte bërë Zlatan Ibrahimoviç në debutimin e tij në Eredivisie, ku kishte shënuar 9 gola në vitin e parë. Ndërkohë, ai arriti shifrën që kishte shënuar Luis Suarez kur veshi në Holandë për herë të parë fanellën e Groningen dhe padyshim do të përpiqet ta kalojë në javët e mbetura.

Paraqitje të tilla sigurisht që kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera, por duket se prioriteti i Brojës do të jetë të qëndrojë edhe një edicion tjetër te Vitesse, para se të kthehet te Chelsea ku dëshiron të luajë shansin e tij për t’u bërë protagonist te londinezët.


Shtuar 1.05.2021 21:10