Policia e Shkodrës, ka proceduar penalisht një 50-vjeçar, pasi braktisi në Francë djalin e tij të mitur, me qëllim që të kërkonte azil në këtë shtet.
“Ky shtetas, më datë 22.01.2020, ka kaluar kufirin në PKK Muriqan, bashkë me djalin e tij të mitur, me autorizimin përkatës nga nëna e djalit, dhe më datë 09.01.2023, është kthyer në Shqipëri, pa djalin e tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e ka braktisur djalin e tij 9 vjeç, në Francë, me qëllim azilkërkimin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi:
“Specialistët e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër kanë intensifikuar masat për identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre shtetasve që braktisin fëmijët e mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin.
Procedohet penalisht një 50-vjeçar, pasi braktisi në Francë, djalin e tij të mitur (9 vjeç), me qëllim që të kërkonte azil në këtë shtet.
Specialistët e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në vijim të punës për parandalimin dhe evidentimin e rasteve të braktisjes së fëmijëve apo të familjarëve të mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin, kanë intensifikuar punën për kontrollin e imtësishëm të dokumentacionit për të udhëtuar dhe intervistimet për arsyen dhe qëllimin e udhëtimit jashtë vendit apo të atyre që kthehen në Shqipëri, duke braktisur fëmijët/ familjarët e mitur, me qëllim kërkimin e azilit.
Si rezultat, është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Ky shtetas, më datë 22.01.2020, ka kaluar kufirin në PKK Muriqan, bashkë me djalin e tij të mitur, me autorizimin përkatës nga nëna e djalit, dhe më datë 09.01.2023, është kthyer në Shqipëri, pa djalin e tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e ka braktisur djalin e tij 9 vjeç, në Francë, me qëllim azilkërkimin.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistimet për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin”, thuhet në njoftim.