Deputeti socialist Erion Braçe ka dhënë sqarime për qëndrimin e tij pas mbledhjes së grupit dhe votës kundër hartës së re administrativo-territoriale, duke thënë se kundërshtimi i tij nuk lidhet me refuzimin e reformës së pushtetit vendor.
Braçe thekson se reforma është e nevojshme, por sipas tij ajo nuk duhet të kufizohet te ndryshimi i hartës së bashkive. “Reformën nuk e shmang e as e refuzoj. Është nevojë, por si reformë për mirëqeverisje, jo si vizatim i një harte”, është shprehur deputeti.
Të lidhura
None found
Sipas tij, një proces i tillë duhet të mbështetet mbi parime dhe kritere të barabarta, të cilat zbatohen në të gjithë territorin e Republikës. Braçe vlerëson se qëndrueshmërinë e reformës e garantojnë parimet dhe jo numërimi i votave.
Në qendër të reformës, ai vendos decentralizimin dhe forcimin e autonomisë vendore. Për këtë, kërkon kalimin drejt bashkive të më shumë kompetencave, funksioneve, tatimeve, taksave dhe burimeve buxhetore.
“Është koha që qeveria t’i japë jetë decentralizimit dhe autonomisë në territor, të mendojë e të bëjë transferimin më të madh të pushtetit, kompetencave, funksioneve, tatimeve e taksave, buxheteve tek pushteti vendor”, ka deklaruar Braçe.
Ai e sheh Tiranën dhe modelin e zhvillimit të saj si një element qendror të reformës së pushtetit vendor. Sipas Braçes, kryeqyteti duhet të dalë nga varësia e thellë ndaj ndërtimit për financimin e funksioneve dhe shërbimeve.
Deputeti paralajmëron gjithashtu se përqendrimi i pushtetit në vetëm dy pole nuk i shërben të gjithëve, veçanërisht qytetarëve. Për këtë arsye, ai kërkon që pushteti dhe përgjegjësia për shërbimet të delegohen deri te hallka më e fundit e kontaktit me qytetarin.
“Kështu një hartë për reformë”, shprehet ai, duke shtuar se harta, e marrë më vete, është e përkohshme, e paqëndrueshme dhe e pamjaftueshme për të garantuar qeverisje më të mirë.
Braçe ka deklaruar se nuk e shqetësojnë as vota kundër dhe as sanksionet e përdorura si kërcënim, pasi sipas tij përgjegjësia e deputetëve është të bëjnë atë që është e drejtë, mbi bazën e parimeve dhe me synim përmirësimin e qeverisjes vendore.
“Ju detyrohem një sqarim të qartë për çfarë ndodhi dje”, ka thënë ai, duke deklaruar se kërkon t’u japë fund spekulimeve dhe keqpërdorimit të qëndrimit të tij.
