Zjarri tragjik në Turqi, Erdogan shpall zi kombëtare dhe premton drejtësi

Një tragjedi e rëndë goditi Turqinë, pasi një zjarr shkatërrues në resortin e skive Kartalkaya, në provincën Bolu, mori jetën e 66 personave dhe la të plagosur 51 të tjerë. Si përgjigje ndaj kësaj fatkeqësie, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan shpalli zi kombëtare dhe njoftoi nisjen e një hetimi të thelluar për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit e këtij incidenti.

Në një deklaratë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Ankara, Erdogan konfirmoi se për rastin janë angazhuar gjashtë prokurorë, dy inspektorë të Administratës Publike, katër inspektorë të Ministrisë së Punës dhe një komision ekspertësh me pesë anëtarë. Në vendngjarje kanë mbërritur gjithashtu katër ministra të qeverisë për të ndjekur nga afër hetimet.

Presidenti turk theksoi se katër persona janë arrestuar deri më tani, përfshirë pronarin e resortit. “Kushdo që ka përgjegjësi për këtë tragjedi, qoftë nga pakujdesia apo shkeljet ligjore, do të përballet me drejtësinë,” deklaroi ai, duke garantuar se autoritetet do të veprojnë me vendosmëri për të ndëshkuar fajtorët.


Shtuar 21.01.2025 18:29

Tags: ,