Zelensky: Nëse Ukraina do të humbasë, varet nga ju

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se fitorja e Ukrainës do të varet nga ndihma ushtarake perëndimore dhe është shfaqur i bindur se Kongresi amerikan do të miratojë përfundimisht paketën e shumëpritur të ndihmës.

“Nëse Ukraina do të humbasë, nëse situata do të jetë shumë e vështirë, nëse do të ketë një numër shumë të madh viktimash varet nga ju, partnerët tanë, bota perëndimore. Nëse jemi të fortë, të armatosur, nuk do ta humbim këtë luftë”, tha Zelensky.

Duke shprehur optimizëm për aftësinë e Kongresit Amerikan për të votuar në favor të paketës së ndihmës prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën, ai tha: Kam besim se rezultati i votimit do të jetë pozitiv.

Presidenti ukrainas ka thënë se 31,000 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftën me Rusinë, duke bërë publike për herë të parë rrëfimin e presidencës ukrainase për viktimat ushtarake të Ukrainës .

Volodymyr Zelensky tha se Rusia arriti të merrte në dorë planet e kundërsulmimit ukrainas të vitit 2023 para se të fillonte e për rrjedhojë kjo i dha një goditje të rëndë Ukrainës.

Ndërsa forcat ruse do të tentojnë një sulm tjetër në Ukrainë në fund të majit ose në verë, paralajmëroi Volodymyr Zelensky.

“Ne do të përgatitemi për sulmin e tyre. Sulmi që filloi më 8 tetor nuk solli rezultate, besoj”, tha presidenti ukrainas.

Ukraina ka një plan të qartë kundërsulmi kundër forcave ruse, tha ai, duke shtuar se nuk mund të zbulojë detaje, ndërsa ndërlidhi ndryshimet e fundit në udhëheqjen e forcave të armatosura ukrainase me planin e ri të veprimit në fushat e betejës.

“Ky plan është i lidhur me ndryshimin e lidershipit, ka ndryshime që rrjedhin prej tij. Shumë plane do të përgatiten këtu”, u shpreh ai.


Shtuar 25.02.2024 20:19