Një planet shkëmbor me ngjashmëri me Tokën, por me përmasa shumë më të mëdha, është zbuluar nga Universiteti i Wisconsin-Madison. Studimi për këtë zbulim pritet të prezantohet nga studiuesi Max Kroft në revistën shkencore “The Astronomical Journal”.
Të lidhura
None found
I pagëzuar “GJ-523-B”, planeti ndodhet rreth 87 vite dritë larg Tokës. Ai është 2.5 herë më i madh se planeti ynë dhe ka një masë 23 herë më të madhe, një veçori që e bën jashtëzakonisht të pazakontë kombinimin mes përmasave dhe masës së tij.
Sipas Kroft, në hapësirë mund të gjenden relativisht lehtë planetë shkëmborë që ngjajnë me Tokën, por këta zakonisht janë shumë më të vegjël. Në rastin e “GJ-523-B”, madhësia është dy herë e gjysmë më e madhe, ndërsa masa e tij i afrohet më shumë karakteristikave të planetëve gjigantë të gaztë, si Saturni dhe Jupiteri.
Të dhënat e mbledhura përmes vëzhgimeve me teleskop në Arizona tregojnë se planeti është relativisht i ri dhe ka një moshë prej 170 milionë vjetësh. Ai përfundon një orbitë rreth yllit të tij çdo 17.75 ditë, ndërsa rrezja e tij është 2.55 herë më e madhe se ajo e Tokës.
Zbulimi përbën një enigmë për shkencëtarët, të cilët tani synojnë të gjejnë planetë të tjerë me karakteristika të ngjashme. Këto kërkime mund të ndihmojnë në shpjegimin e këtij misteri që sfidon modelet e deritanishme për formimin e planetëve.
