Valter Lavitola, një biznesmen italian, u vu në pranga nga karabinierët, ndërsa autoritetet kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar Clesio Gomez Tavares, nën dyshimin se të dy orkestruan sulmin me lëndë plasëse ndaj Sigfrido Ranucci, gazetarit dhe moderatori të emisionit “Report” në RAI.
Të lidhura
None found
Kapja e Lavitolës u krye në zonën e Trasteveres në kryeqytetin italian. Nga ana tjetër, Tavares, i cili ndodhet jashtë shtetit, është objekt i një urdhër-arresti. Sipas masës së sigurisë të firmosur nga gjyqtarja hetuese e Romës, Iole Moricca, komploti kishte një qëllim të dyfishtë: së pari, të krijonte idenë se Ranucci ishte një objektiv që kërkonte mbrojtje të veçantë dhe së dyti, të frynte imazhin e tij publik për ta orientuar drejt një të ardhmeje në politikë.
Megjithëse Lavitola konsiderohej mik i gazetarit, hetimet e përjashtojnë plotësisht Ranucci-n nga çdo lloj dijenie apo miratimi për planin. Sipas gjyqtares, ai ra pre e një manipulimi dhe shfaqi shenja shoku e mosbesimi kur u vu në dijeni të përfshirjes së dyshuar të personit të afërt.
Baza e provave mbështetet në bisedat e përgjuara dhe mesazhet e nxjerra nga celulari i Lavitolës. Dokumentacioni hetimor tregon se ai prej kohësh përpiqej ta bindte Ranucci-n të braktiste gazetarinë dhe të kandidonte për një post të lartë. Në një komunikim të datës 29 korrik 2024, Lavitola e nxiste atë të linte pas ekranet, ndërsa më 26 qershor 2025 i shkruante se agresionet ndaj tij do të shërbenin si trampolinë për rritjen e popullaritetit.
Nga hetimet rezulton se Lavitola e shihte një incident të tillë si një manovër për ta kthyer Ranucci-n në një figurë të fortë publike, deri aty sa të pretendonte postin e presidentit. Qysh në vitin 2024, ai i kishte pohuar gazetarit se mund të ishte ndër të paktët liderë të qëndrueshëm në Itali dhe se brenda dy vitesh mund të arrinte në krye të shtetit.
Aksioni ndodhi në tetor të vitit 2025 në Pomezia, në afërsi të Romës, ku një mjet shpërthyes i improvizuar u aktivizua pranë banesës së gazetarit. Në fund të muajit qershor, hetimet çuan në arrestimin e katër personave, tre burra dhe një grua, të cilët konsiderohen si ekzekutorët materialë të sulmit. Ata përballen me akuza për mbajtje dhe shpërthim të lëndëve plasëse, kanosje dhe shkaktim dëmi, me rëndimin e veprës në kuadër të një grupi kriminal.
Sipas organit të akuzës, Lavitola sajoi të gjithë skemën dhe i ngarkoi Tavaresit detyrën për të gjetur persona të aftë për të siguruar eksplozivët dhe për të vënë në jetë sulmin. Tavares dyshohet se luajti rolin e ndërmjetësit dhe koordinatorit në terren, duke rekrutuar dhe stërvitur autorët. Gjithashtu, ai besohet se mori pjesë në një vëzhgim të fundit të zonës më 10 tetor 2025. Duke qenë se ai është larguar nga Italia dhe mendohet se fshihet në Kamerun, gjyqësorja ka lëshuar urdhrin e arrestit në mungesë.
