Vritet me armë boksieri shqiptar në Gjermani

Boksieri shqiptar, Besar Nimani, u vra këtë të shtunë në Gjermani, në qytetin e Bielefeld. Ishin familjarët e Nimanit ata që njoftuan vdekjen e boksierit.

Siç raportohet nga mediet gjermane të bazuara në deklaratat e dëshmitarëve, 38-vjeçari shqiptar u qëllua me armë teksa po dilte nga një restorant i qytetit. Sipas ‘BILD’, Nimani vdiq në vend. Autoritetet gjermane nuk kanë bërë ende asnjë arrestim, ndërsa janë në ndjekje të autorëve.

Nimani nuk është i panjohur për botën e krimit pasi edhe më herët, në vitin 2013 ka rënë pre e një sulmi të ngjashëm.

Besar Nimani ka qenë një boksier i kategorisë “Super Welterweight” dhe në 27 ndeshje numëron 26 fitore dhe vetëm 1 humbje. Në vitin 2019, ai hoqi dorë nga ky aktivitet.