Nuk ishte kështu 10 vite më parë, por sot zgjerimi është me të vërtetë në krye të agjendës sonë, deklaroi presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi në Berlin me kancelarin Olaf Scholz.
”Janë dy kushte kryesore: përafrimi me vlerat evropiane dhe respektimi i shtetit të së drejtës. Integrimi ekonomik dhe kjo është ajo që parashikonte procesi i Berlinit”, shtoi ajo.
”Ju përgëzoj për rolin ndërmjetësues që ende luan Gjermania”, tha Von der Leyen duke iu drejtuar kancelarit Scholz.
“Ne kemi nevojë për një urë midis tregut rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe tregut unik. Dhe kjo urë është Plani i Rritjes që ne po çojmë përpara”, shpjegoi Von der Leyen duke nënvizuar se “procesi i Berlinit është një histori suksesi”.
“Është shumë e rëndësishme që të ketë vullnet politik për të punuar së bashku. Është një proces që ka të bëjë me çdo vend individual dhe bazohet në merita, por padyshim sa më shumë kandidatë të ketë në procesin e pranimit, aq më mirë do të jetë”, tha ajo.
”Plani i Rritjes, i miratuar nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor hap derën për sektorë specifikë të tregut të vetëm. Prandaj, për të përdorur këtë minimum hapjeje, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të miratojnë reformat përkatëse për të pasur një fushë loje të barabartë”, shtoi Von der Leyen.
Von der Leyen njoftoi se, këtë javë, BE do të miratojë “pesë ose gjashtë axhenda reformash” të planifikuara nga vendet e Ballkanit dhe, për rrjedhojë, gjashtë miliardë të parashikuara nga Plani i Rritjes do të fillojnë të disbursohen “deri në fund të vitit”.