VIDEO/ Traktorët bllokojnë Brukselin, situata bën bashkë 27 ministrat e Bujqësisë të vendeve të BE- së

Brukseli po përballet me një tension të ashpër mes policisë vendase dhe fermerëve për shkak të protestave të këtyre të fundit.

Sot janë mbledhur ministrat e Bujqësisë të 27 vendeve të Bashkimit Europian për diskutime dhe zgjidhjen e kërkesave të fermerëve. Rreth 300 traktorë janë rreshtuar në qendër të qytetit dhe Rue de la Loi është bllokuar.

Nën tingujt e muzikës dhe parullave, fermerët ngritën barrikada të bëra me pleh organik dhe goma. Policia tentoi të bllokonte kalimin e protestuesve me të paktën tre topa uji, por ata thyen kangjellat dhe iu afruan ndërtesës ku do të mblidhen ministrat e Bujqësisë.

https://www.youtube.com/watch?v=X2smQVVmw1U

Nuk kanë kaluar as një muaj pas mobilizimit “historik” bujqësor në kryeqytetin belg më 1 shkurt, kur më shumë se 1300 traktorë mbushën rrugën dhe sot fermerët janë duke shprehur tensionin e tyre për shkak të shpërfilljes së kërkesve prej kaq kohësh.

Federata e Fermerëve të Rinj në një deklaratë për shtyp, shprehu keqardhjen që “asnjë përgjigje strukturore e mbështetur nga federata nuk u vendos në axhendën e Këshillit të Bujqësisë të kësaj të hëne”.

“Europa duhet të mbrojë më mirë bujqësinë e saj, veçanërisht në kontekstin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Europa duhet të ketë gjithashtu mjetet për të përmbushur ambiciet e saj duke i siguruar Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) një buxhet të mjaftueshëm për t’i lejuar fermerët të fitojnë të ardhura për përpjekjet e shumta që bëjnë për të mbrojtur mjedisin” shton federata.


Shtuar 26.02.2024 14:30