Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të përdorin naftën venezueliane për të rimbushur Rezervën Strategjike të Naftës.
Të lidhura
None found
Ky njoftim pason marrëveshjen e bërë publike të premten mes Uashingtonit dhe Karakasit, përmes së cilës SHBA-ja fiton një rol udhëheqës në shfrytëzimin e rezervave të naftës së Venezuelës. Këto rezerva vlerësohen në më shumë se 65 miliardë fuçi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump bëri të ditur se rimbushja e rezervave strategjike do të nisë së shpejti. Ai e cilësoi naftën venezueliane si një “dhuratë nga Venezuela për popullin e Shteteve të Bashkuara”.
Presidenti amerikan sulmoi edhe ish-presidentin Joe Biden, duke pretenduar se gjatë mandatit të tij Rezerva Strategjike e Naftës u zvogëlua në mënyrë të konsiderueshme.
“Një nga gjërat që kam në plan të bëj me naftën venezueliane është të rimbush Rezervën Kombëtare Strategjike, e cila, falë ‘Xhoit të Përgjumur’ Biden, është pothuajse e shteruar. Procesi i ‘rimbushjes’ do të fillojë shumë shpejt dhe është një dhuratë nga Venezuela për popullin e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.
Gjatë viteve të fundit, rezervat amerikane të naftës kanë rënë ndjeshëm, pasi janë shfrytëzuar për të përballuar ndërprerjet e furnizimit në tregjet globale dhe rritjen e çmimeve të karburanteve.
