Donald Trump ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i kërkojnë Iranit kompensim financiar për personat që, sipas presidentit amerikan, janë vrarë ose kanë mbetur të plagosur rëndë nga Teherani gjatë konfliktit të armatosur që vazhdon prej 28 shkurtit të këtij viti.
Të lidhura
None found
Qëndrimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë pasoi kërkesën e Iranit për dëmshpërblim lidhur me dëmet e shkaktuara nga goditjet amerikane dhe izraelite. Përmes një postimi në Truth Social, Trump deklaroi se tashmë edhe ai kërkon kompensim nga pala iraniane.
Presidenti amerikan iu referua viktimave të sulmeve dhe përplasjeve të lidhura me Iranin, por edhe familjarëve të personave që, sipas tij, janë vrarë gjatë protestave kundër qeverisë iraniane.
Në reagimin e tij, Trump përmendi gjithashtu sulmin e tetorit 2000 ndaj anijes luftarake amerikane në Jemen. Nga sulmi vetëvrasës, përgjegjësia për të cilin iu atribua Al-Kaedës, humbën jetën 17 marinarë amerikanë dhe u plagosën më shumë se 30 të tjerë.
Nga ana tjetër, Teherani e ka kushtëzuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit me kompensimin e dëmeve të shkaktuara, heqjen e sanksioneve dhe ndalimin e kërcënimeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Debati për dëmshpërblimet zhvillohet në një periudhë tensionesh të forta ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit. Në të njëjtën kohë, organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë se autoritetet iraniane po vazhdojnë goditjen ndaj kundërshtarëve të qeverisë.
