Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë në shënjestër kompanitë e naftës, duke i akuzuar se po sigurojnë fitime të mëdha nga trazirat në tregun botëror të energjisë, të shkaktuara nga lufta e tij kundër Iranit.
Të lidhura
None found
Pak orë përpara deklaratave të tij, kompanitë amerikane të naftës kishin raportuar se, gjatë tre muajve deri në fund të qershorit, kishin realizuar së bashku më shumë se 26 miliardë dollarë fitime. Ato përfituan nga çrregullimet në tregun energjetik si pasojë e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Chevron regjistroi fitimin më të lartë tremujor në historinë e saj, me 12.2 miliardë dollarë, pesë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, ExxonMobil deklaroi një fitim prej 14.5 miliardë dollarësh për tremujorin e dytë, dyfishin e shumës së siguruar në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Trump reagoi ndaj fitimeve të papritura që ExxonMobil dhe Chevron publikuan javën e kaluar, duke thënë se kompanitë do t’i “kthenin një pjesë të kësaj shume publikut”.
“Ata po fitojnë shumë para bazuar në mungesë”, deklaroi ai para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje, duke shtuar: “Nuk më pëlqen kjo”.
Përpara sulmeve të para të SHBA-së dhe Izraelit në fund të shkurtit, nafta bruto Brent tregtohej me afro 70 dollarë për fuçi. Çmimi arriti deri në 126 dollarë në fund të prillit, ndërsa aktualisht një fuçi tregtohet për rreth 85 dollarë.
Deklaratat e presidentit amerikan u bënë vetëm disa orë përpara se British Petroleum të njoftonte se fitimet e saj për tremujorin e fundit ishin dyfishuar, duke arritur në 5.7 miliardë dollarë.
E pyetur nga CNBC për qëndrimin e Trump, drejtoresha ekzekutive e BP-së, Meg O’Neill, tha se i kuptonte vështirësitë me të cilat përballen familjet. “Realiteti është se ne prodhojmë një mall global dhe produkti që shesim varet nga ai çmim global i mallit”, shtoi ajo.
