Donald Trump ka bërë të ditur se Benjamin Netanyahu nuk rrezikon të ndalohet në territorin amerikan, ndërsa vijon debati mbi mundësinë ligjore të arrestimit të kryeministrit izraelit gjatë vizitës së parashikuar në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
“Në asnjë rrethanë Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet gjatë qëndrimit në SHBA”, shkroi presidenti amerikan në platformën “Truth Social”. Në të njëjtin reagim, Trump vlerësoi edhe kontributin e kryeministrit të Izraelit në luftën kundër Iranit.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk iu referua me emër kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani. Ky i fundit kishte ngritur pak ditë më parë çështjen nëse ekziston mundësia ligjore që Netanyahu të arrestohet gjatë pjesëmarrjes në punimet e OKB-së.
Duke folur për “The New York Times”, Mamdani e përshkroi Netanyahun si një “kriminel lufte” dhe u shpreh se “vendi i kryeministrit Netanyahu është në Hagë”. Deklarata e tij lidhej me urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Kryeministri izraelit shkon zakonisht në Nju Jork çdo shtator, kur mbahet takimi vjetor i udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndaj tij, GJPN ka nxjerrë një urdhër arresti për akuza që kanë të bëjnë me krime të dyshuara lufte gjatë konfliktit në Gaza.
Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat për kryerjen e krimeve të luftës, ndërsa kundërshton edhe juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
