Një tjetër përplasje është hapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, pasi presidenti amerikan Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në “Liqeni i Amerikës”.
Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi menjëherë, duke këmbëngulur se në Kanada emërtimi i liqenit nuk do të ndryshojë.
Të lidhura
None found
“Kanadezët e dinë se duhet t’i quajnë gjërat me emrat e tyre të ligjshëm dhe ky liqen quhet Liqeni Ontario, sot dhe përgjithmonë”, shkroi Carney në platformën X.
Carney vuri në dukje se emri i liqenit është përdorur prej më shumë se 400 vjetësh, pra shumë kohë përpara krijimit të Konfederatës Kanadeze dhe Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Urdhri u nënshkrua nga Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në Zyrën Ovale u shfaq gjithashtu një hartë ku liqeni ishte shënuar me emrin “Lake America”, me germa të mëdha të kuqe.
Sipas dokumentit ekzekutiv, Shtetet e Bashkuara janë “mbrojtësi më i madh i Liqeneve të Mëdha”. Në të pretendohet gjithashtu se SHBA-ja zotëron pjesën më të madhe të vëllimit të Liqenit Ontario, pasi pjesët më të thella të tij ndodhen në territorin amerikan.
Pavarësisht urdhrit të presidentit amerikan, emri i ri nuk përbën një ndryshim të njohur ndërkombëtarisht. Kanadaja do të vazhdojë ta njohë zyrtarisht atë si Liqeni Ontario.
Trump la të kuptohet se mund të ketë edhe ndryshime të tjera në emërtimet gjeografike.
“Kemi një gji dhe kemi një liqen. Na mungon vetëm një oqean. Pra, mund ta ndryshojmë emrin e Atlantikut ose të Paqësorit. Mund t’i ndryshojmë të dyja”, deklaroi presidenti amerikan.
Në muajt e parë të mandatit të tij të dytë, Trump kishte urdhëruar edhe riemërtimin e Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”. Ai ka përsëritur gjithashtu se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.
Vendimi për Liqenin Ontario vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Otavës janë rënduar ndjeshëm, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare.
Trump e ka akuzuar Kanadanë se po i trajton në mënyrë të padrejtë Shtetet e Bashkuara dhe ka drejtuar kritika të forta ndaj autoriteteve kanadeze.
Ndërkohë, Uashingtoni po përgatitet të vendosë tarifa të reja ndaj disa produkteve kanadeze, pasi Ottawa pezulloi negociatat tregtare.
Kjo lëvizje e fundit e Trump mund ta përkeqësojë edhe më tej përplasjen mes dy vendeve, në një kohë kur Kanadaja shpresonte për rifillimin e dialogut tregtar.
