Një situatë dramatike po zhvillohet në ishullin e Salaminës në Greqi, ku një zjarr i dyfishtë i shpërthyer pasditen e së diellës ka shkaktuar një bilanc tragjik njerëzor.
Gjatë operacioneve të shuarjes, forcat e zjarrfikëseve gjetën dy trupa të pajetë në rrugën “Andromachis” në zonën e Peristerit, të cilët i përkasin një çifti të moshuarish që mbetën të bllokuar nga flakët pranë vatrës fillestare.
Të lidhura
None found
Mediat greke raportojnë se, tetë persona janë të lënduar nga djegiet, dy prej të cilëve janë transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore në spitalin “Thriasio”.
Zhvillimi i shpejtë dhe fatal i situatës u ndikua drejtpërdrejt nga erërat e stuhishme në një ditë të kategorizuar me rrezikshmëri shumë të lartë (Kategoria 4). Pas njoftimit të parë të marrë në orën 14:43, zjarri mori përmasa të pakontrollueshme brenda vetëm katër minutave, duke detyruar Qendrën Operacionale të lëshojë një alarm të përgjithshëm.
Ekipet e emergjencës po luftojnë në dy fronte aktive, ku situata më kritike mbetet ajo në Peristeri, ku flakët po djegin sipërfaqe pyjore dhe kanë depërtuar me shpejtësi drejt banesave të vendbanimit.
Paralelisht me përpjekjet për vënien në kontroll të vatrës së dytë në zonën e Salaminës, autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Për të hetuar origjinën e shpërthimit të njëkohshëm të vatrave të zjarrit, është mobilizuar menjëherë Ekipi i Hetimit të Krimit të Zjarrvënieve të Pireut.
