Dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë dyshohet se janë bllokuar nën rrënoja pas rrëshqitjeve të dheut në Ishullin e Veriut të Zelandës së Re. Viktimat u raportuan në zonën Welcome Bay, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në një kamping shumë të frekuentuar në Mount Maunganui. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka shenja jete në zonën e kampingut dhe mes personave të zhdukur ndodhet të paktën një vajzë e mitur.
Rrëshqitjet e dheut u shkaktuan nga reshjet e dendura të shiut ditët e fundit, të cilat shkaktuan përmbytje në disa rajone dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Banorët e zonës janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa rrugët dhe infrastrukturat e dëmtuara po vështirësojnë operacionet e shpëtimit.
Kryeministri Christopher Luxon deklaroi se vendi është “i mbushur me dhimbje” pas kësaj tragjedie dhe bëri thirrje për unitet dhe solidaritet në ndihmë të viktimave. Ai njoftoi gjithashtu se është shpallur gjendje emergjence në disa zona të Ishullit të Veriut.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë edhe gjatë natës, ndërsa autoritetet kombëtare dhe ekipet lokale janë angazhuar për të shpëtuar çdo person të bllokuar nën rrënoja. Publiku dhe mediat ndjekin me shqetësim zhvillimet, ndërsa komuniteti lokal mobilizohet për të ofruar ndihmë për të prekurit nga kjo tragjedi.
