Një ngjarje e rëndë ka tronditur turistët në Milano Marittima, në bregdetin e Ravenës në Itali, pasi një vajzë 4-vjeçare nga Austria u mbyt në pishinën e një hoteli.
Të lidhura
None found
Babai i të miturës është vënë nën hetim nga Prokuroria e Ravenës, nën dyshimin për braktisje fëmije.
Sipas hetimeve fillestare të karabinierëve, ai i kishte kërkuar vajzës të priste në një hapësirë midis sheshit të lojërave dhe pishinës, ndërsa ai u largua për pak minuta, me gjasë për të marrë diçka në dhomë.
Kur ai u rikthye, situata kishte marrë një kthesë tragjike dhe përpjekjet për ta shpëtuar të voglën rezultuan të kota.
Pamjet e kamerave të sigurisë së hotelit kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë ngjarjen. Sipas të dhënave të publikuara, videoja tregon vogëlushen duke ecur e vetme drejt pishinës dhe më pas ajo zhduket nga pamja në një zonë më të errët.
Nga pamjet dyshohet se Magdalena ka qëndruar në ujë për rreth 7-8 minuta përpara se të vërehej nga personat përreth.
Një mjek, i cili ndodhej në zonën e hotelit, është parë duke dalë dhe duke tentuar t’i japë ndihmën e parë vajzës, ndërsa babai mbërriti pak më vonë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, dy fëmijë të vegjël ishin të parët që vunë re se diçka nuk shkonte. Ata panë portat e pishinës të hapura, hynë brenda dhe vunë re diçka që lëvizte në ujë. Më pas ata dhanë alarmin duke njoftuar personat përreth.
Familja austriake ndodhej në rivierën italiane për pushime dhe kishte planifikuar të kthehej në Austri të dielën, më 19 korrik. Magdalena ishte me prindërit dhe dy motrat e saj më të mëdha.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu kushtet e sigurisë në zonën e pishinës. Sipas informacionit paraprak, në momentin e mbytjes, rreth orës 14:00, nuk kishte shërbim roje shpëtimi, ndërsa hyrja e pishinës ishte e hapur.
Prokuroria ka nisur një procedim ku po shqyrtohet edhe hipoteza e vrasjes nga pakujdesia. Një autopsi pritet të kryhet në ditët në vijim për të përcaktuar më saktë shkaqet e vdekjes.
Ndërkohë, pishina e hotelit është sekuestruar me urdhër të prokurorisë pas një inspektimi në vendngjarje që zgjati më shumë se dy orë.
