Një incident i rëndë u regjistrua mëngjesin e sotëm në Bruksel, ku autoritetet kanë gjetur disa viktima të pajetë brenda një ashensori në një godinë në rikonstruksion, e cila u përfshi nga flakët.
Prokuroria e Punës në Bruksel ka konfirmuar incidentin, por nuk ka dhënë shifrën e saktë të viktimave. Gjashtë persona janë të pagjetur, dhe hetuesit dyshojnë se mund të gjenden në një ashensor të dytë, ku ekipet e shpëtimit nuk kanë pasur ende akses.
Të lidhura
None found
“Zjarrfikësit hapën një çarje të vogël në një prej ashensorëve dhe hasën në disa viktima; nuk dihet numri i saktë i personave brenda, mund të jenë gjashtë të zhdukurit, por nuk përjashtohet prania e personave të tjerë në ashensorin tjetër ose në pjesë të tjera të ndërtesës,” tha zëdhënësi i Prokurorisë së Punës.
Sipas burimeve zyrtare, zjarri ka nisur rreth orës 08:00 me orën lokale në katin e dytë të ndërtesës, e cila ishte në rikonstruksion. Flakët fillestare u vunë nën kontroll shpejt, por u përhapën nëpër boshtin e ashensorit, duke krijuar një vatër të dytë që u shua më pas nga zjarrfikësit.
Tre persona kanë pësuar lëndime. Dy punëtorë me djegie u dërguan në Spitalin Ushtarak në Neder-over-Heembeek, ndërsa një zjarrfikës mori ndihmë mjekësore në vendngjarje për shkak të lodhjes nga temperaturat e larta.
Punëtorët e tjerë u evakuuan nga kantieri dhe u dërguan në një zonë të sigurt, ku morën mbështetje psikologjike nga Kryqi i Kuq. Autoritetet aktivizuan gjithashtu planin e emergjencës dhe protokollet për menaxhimin e krizave mjekësore dhe psikosociale.
Shkaqet e zjarrit janë ende të panjohura dhe janë nën hetim. Ndërtesa OXY, ku ndodhi tragjedia, ishte planifikuar të shndërrohej në një kompleks me apartamente, restorante dhe një bar në tarracë.
