Temperaturat në Angli e kanë kaluar disa herë pragun e 35 gradëve gjatë kësaj vere. Vapa bëhet veçanërisht e padurueshme brenda banesave pa kondicioner, pajisje që konsiderohet pothuajse e zakonshme në Evropën jugore dhe disi më në veri.
Të lidhura
None found
Mungesa e reshjeve në Angli dhe Uells ka sjellë thatësirën më të gjatë dhe më ekstreme që prej nisjes së regjistrimit të të dhënave meteorologjike në ishull, duke thyer rekordin e 190 viteve të fundit. Britania po shkon drejt korrikut të tretë më të thatë, si dhe verës më të thatë në nivel kombëtar që nga viti 1868.
Të dhënat e Met Office, institucionit britanik të meteorologjisë, tregojnë se deri më 30 korrik në Angli ishin regjistruar vetëm 5.5 milimetra shi. Kjo sasi është sa gjysma e rekordit të mëparshëm prej 13 milimetrash, të shënuar në vitin 1911.
Gjendja e thatësirës është shpallur zyrtarisht në më shumë se gjysmën e territorit të Anglisë. Parqet dhe hapësirat e ishullit, të njohura për gjelbërimin gjatë vitit, tashmë kanë marrë ngjyrë të verdhë dhe duken si fusha gruri të sapokorrura.
Për shkak të mungesës së reshjeve, në të gjithë Britaninë kanë nisur kufizimet e përdorimit të ujit për ujitje në mjediset familjare. Thatësira dhe temperaturat e larta kanë prekur rreth 20 milionë banorë.
Anglia po i afrohet një numri rekord viktimash të lidhura me vapën dhe thatësirën. Vlerësohet se mbi 2800 persona kanë humbur jetën si pasojë e motit jashtëzakonisht të nxehtë gjatë periudhës maj-qershor, kur ishulli u përfshi nga valë të forta të nxehti. Kjo shifër është dy herë më e lartë se numri i vdekjeve të regjistruara gjatë gjithë vitit të kaluar.
Deri tani, Britania ka përjetuar këtë vit 7 ditë me temperatura mbi 35 gradë. Brenda vetëm dy muajve është tejkaluar rekordi prej 5 ditësh i vitit 1976 dhe është barazuar ai i vitit 2020.
Pasojat e thatësirës së zgjatur rëndohen edhe nga fakti se vendi historikisht nuk është përgatitur në shkallë të gjerë me sisteme të ajrit të kondicionuar në banesa. Kondicionerët vazhdojnë të jenë të rrallë në shtëpitë e familjeve britanike.
Situata paraqitet edhe më e vështirë në transportin publik, veçanërisht në metro dhe në linjat e autobusëve. Gjatë verës, këto mjete ngjasojnë me serrat e mbyllura ku kultivohen fruta dhe perime në vendet e Mesdheut.
