Një incident i ri në Ngushticën e Hormuzit ka rikthyer pasigurinë në rajon, pasi një anije mallrash u godit, duke hedhur dyshime mbi zbatimin e marrëveshjes së fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Një zyrtar amerikan tha se goditja u krye nga një dron iranian, ndonëse deri tani Teherani nuk e ka marrë zyrtarisht përsipër sulmin.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pasi Garda Revolucionare Iraniane bëri të ditur se anijet do të mund të kalojnë të sigurta vetëm nëpër rrugët detare të miratuara nga Irani. Ky qëndrim bie ndesh me deklaratat e administratës Trump, sipas së cilës lundrimi në Ngushticën e Hormuzit ishte kthyer në normalitet pas marrëveshjes së arritur javën e kaluar.
Sipas Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), anija është goditur në anën e djathtë nga një predhë ende e paidentifikuar, çka shkaktoi dëme në urën komanduese. Nuk pati raportime për viktima apo ndotje mjedisore, ndërsa autoritetet u kërkuan të gjitha mjeteve lundruese që kalojnë në zonë të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo veprimtari të dyshimtë.
Pasojat e sulmit u ndjenë menjëherë edhe në operacionet ndërkombëtare. Organizata Ndërkombëtare Detare e OKB-së (IMO) njoftoi se ka pezulluar misionin për evakuimin e qindra anijeve dhe mbi 11 mijë detarëve që kanë mbetur të bllokuar në Gjirin Persik që nga shpërthimi i konfliktit.
Sekretari i Përgjithshëm i IMO-së, Arsenio Dominguez, deklaroi se mbrojtja e detarëve mbetet prioritet absolut dhe se plani i evakuimit do të mbetet i ndalur derisa të ketë sqarim të plotë të rrethanave. Ai nënvizoi se anija e goditur nuk ishte pjesë e operacionit të evakuimit, por se incidenti dëshmon që rreziku në këtë zonë vazhdon të jetë i lartë.
Nga ana tjetër, Organizata Iraniane për Menaxhimin e Rrugëve Detare të Gjirit Persik paralajmëroi se nuk garanton më kalim të sigurt për anijet që nuk respektojnë korridoret e përcaktuara nga Teherani. Autoritetet iraniane thanë se përgjegjësia për çdo incident do të rëndojë mbi pronarët, operatorët dhe kapitenët e anijeve që zgjedhin itinerare të tjera.
Zhvillimet ndikuan menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare, duke shtyrë lart çmimin e naftës. Nafta Brent e mbylli ditën me një rritje prej rreth 2%, në 74 dollarë për fuçi, mes shqetësimeve se tensionet në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë mund të thellohen edhe më tej.
Marrëveshja e firmosur javën e kaluar mes SHBA-së dhe Iranit parashikon ndalimin e luftimeve, garantimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe lehtësimin e sanksioneve ndaj Teheranit, në këmbim të angazhimit për të mos zhvilluar armë bërthamore. Megjithatë, ngjarja e fundit tregon se situata mbetet e brishtë dhe se negociatat që pritet të nisin më 30 qershor do të zhvillohen në një atmosferë të tensionuar.
