Forcat e Shteteve të Bashkuara kanë realizuar sulme të reja ajrore kundër Iranit për të nëntën natë radhazi, bëri të ditur Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM). Sipas saj, operacioni synon të zvogëlojë aftësinë e Teheranit për të goditur anijet që lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Të lidhura
None found
Presidenti Donald Trump deklaroi se këto operacione u kryen në shenjë nderimi për ushtarakët amerikanë që kanë rënë gjatë ditëve të fundit. “Edhe sonte i goditëm rëndë dhe këtë e bëmë për të nderuar – me shumë gjasë – tre patriotë të mëdhenj”, u shpreh ai para gazetarëve.
Trump shtoi se ndihet thellësisht i prekur për humbjen e ushtarëve, duke theksuar se ata dhanë jetën në përpjekje për të penguar që Irani të pajiset me armë bërthamore. Këto deklarata ai i bëri gjatë rrugës së kthimit për në Uashington, pasi ishte i pranishëm në finalen e Kupës së Botës në Nju Xhersi.
CENTCOM njoftoi gjithashtu se forcat amerikane “kanë lëshuar një valë të re goditjesh ndaj Iranit për të nëntën natë me radhë”, ndërsa një fotografi e publikuar nga kjo komandë paraqet shpërthime në një pikë të papërcaktuar brenda territorit iranian.
Komanda theksoi se objektivi i këtyre sulmeve është dobësimi i mjeteve luftarake që Irani përdor për të rrezikuar anijet tregtare dhe marinarët civilë që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Më herët, CENTCOM kishte konfirmuar edhe viktimat e para në radhët e forcave amerikane që prej përshkallëzimit të përplasjeve me Iranin në muajin mars. Sipas njoftimit, dy ushtarë amerikanë humbën jetën më 17 korrik, ndërsa një i tretë u shpall i zhdukur gjatë një përpjekjeje për të zmbrapsur një sulm iranian me raketa dhe dronë në një vendndodhje sekrete në Jordani.
Më pas, ushtria amerikane raportoi se në zonën e incidentit ishin gjetur mbetje mortore të paidentifikuara, gjë që shtoi mundësinë që edhe ushtari i zhdukur të mos jetë më gjallë. Ndërkohë, më 19 korrik, një tjetër ushtar amerikan u vra në Irak si pasojë e shpërthimit të municionit nga një dron iranian që u rrëzua. Një koleg i tij mbeti i plagosur lehtë dhe po merr trajtim mjekësor.
Nga ana tjetër, Irani vijoi kundërpërgjigjet duke sulmuar disa aleatë arabë të SHBA-së në rajonin e Gjirit Persik, si hakmarrje për bombardimet amerikane. Ushtria izraelite deklaroi për AFP-në se së bashku me forcat jordaneze arriti të kapte një raketë iraniane që kishte në shënjestër qytetin jordanez të Akabës. Po ashtu, ushtria e Jordanisë njoftoi se ka rrëzuar “tri raketa iraniane që synonin territorin e mbretërisë”, pa dhënë detaje mbi zonat e kërcënuara.
Kuvajti raportoi gjithashtu se një central për prodhimin e energjisë dhe furnizimin me ujë u godit nga Irani, duke shkaktuar flakë. Ky ishte sulmi i tretë brenda tri ditësh ndaj një infrastrukture të tillë në vend. Një ditë më parë, autoritetet kuvajtiane kishin bërë të ditur se ishte goditur edhe një objekt i industrisë së naftës.
