Vendimi i gjykatës ndaj këngëtares iraniane Parastu Ahmadi dhe tetë pjesëtarëve të ekipit të saj muzikor e të prodhimit ka nxitur zemërim të madh brenda Iranit dhe përtej kufijve të tij. Të dënuarit janë ndëshkuar me 74 goditje me kamzhik.
Shkak për këtë çështje u bë një koncert i transmetuar drejtpërdrejt në YouTube, ku artistja doli në skenë pa hixhab, në kundërshtim me rregullat e forta të vendosura nga autoritetet iraniane.
Të lidhura
None found
Dokumentet e gjykatës, të cituara nga organizata të të drejtave të njeriut dhe nga avokatët e përfshirë në rast, tregojnë se gjykata penale e provincës Qom urdhëroi jo vetëm dënimin me kamzhik, por edhe ndalimin për dy vjet të daljes nga Irani, si edhe ndalimin për dy vjet të ushtrimit të veprimtarisë artistike për të gjithë të dënuarit.
Autoritetet iraniane i akuzuan të pandehurit për “fyerje të modestisë publike” dhe për prodhimin e publikimin në internet të asaj që e përshkruan si “përmbajtje imorale dhe të turpshme”.
Rasti buron nga një koncert i mbajtur në dhjetor të vitit 2024 dhe i transmetuar live në kanalin e Ahmadit në YouTube. Këngëtarja 29-vjeçare interpretoi këngën patriotike “Az Khoone Javanane Vatan” (“Nga gjaku i të rinjve të atdheut”) pa hixhab. Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, grumbulloi miliona shikime dhe u kthye në një shenjë kundërshtimi ndaj kufizimeve që u vendosen grave në Iran.
Pak pas publikimit të videos, Ahmadi dhe disa prej muzikantëve pjesëmarrës në koncert u arrestuan nga autoritetet. Më pas ata u liruan, por procedurat gjyqësore vijuan deri te vendimi i fundit i gjykatës.
Ky dënim ka sjellë reagime të forta edhe nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Bahar Ghadehari, drejtoreshë e avokimit në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Iran, tha se vendimi tregon se gjendja e të drejtave të njeriut në vend mbetet e pandryshuar.
“Dënimi i Parastu Ahmadi me 74 goditje me kamzhik për këndim dhe paraqitje pa hixhab tregon hendekun e madh mes imazhit që regjimi përpiqet të paraqesë dhe realitetit që përjetojnë qytetarët”, deklaroi ajo.
Kundër këtij vendimi doli edhe avokati i të drejtave të njeriut, Moin Khazaeli, i cili argumentoi se ai nuk gjen mbështetje në ligjin penal iranian. Sipas tij, as këndimi dhe as krijimi i veprave muzikore nga gratë nuk përbëjnë vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.
Khazaeli nënvizoi gjithashtu se dënimi me kamzhik shihet nga shumë organizata ndërkombëtare si një formë torture dhe trajtimi çnjerëzor, duke ngritur dyshime serioze për respektimin nga Irani të detyrimeve të tij ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut.
Rasti i Parastu Ahmadit ka gjeneruar reagime të shumta si në Iran, ashtu edhe në diasporën iraniane. Artistë, aktivistë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut e kanë përshkruar vendimin si një ashpërsim të represionit kulturor dhe si një përpjekje për të frikësuar këdo që sfidon normat e rënda shoqërore të vendosura nga regjimi iranian.
