Një qendër logjistike e kompanisë ruse të tregtisë elektronike Ozon, në rajonin e Samarës, u përfshi nga flakët gjatë natës pas një sulmi me dronë ukrainas.
Të lidhura
None found
Ngjarja është cilësuar si “sulmi i parë” ndaj Ozon, gjigantit të dytë më të madh të tregtisë elektronike në Rusi, pas Wildberries. Qendrat logjistike të kësaj të fundit janë goditur disa herë më parë.
Sipas deklaratës së kompanisë, të përcjellë nga TASS, më shumë se 500 punonjës u nxorën nga objekti brenda pak minutash. Ozon konfirmoi gjithashtu se pati viktima, ndërsa guvernatori i rajonit të Samarës, Vyacheslav Fedorishchev, kishte njoftuar më herët për plagosjen e disa personave.
Një përfaqësues i shërbimeve të emergjencës i tha TASS se në sulmin ndaj qendrës së Ozon u plagosën katër persona. Njëri prej tyre është në gjendje kritike, pasi u hodh nga dritarja e katit të dytë.
“Mjekët po e operojnë atë”, deklaroi zëdhënësi.
Gjatë së njëjtës natë, sulmet ajrore ruse në Ukrainë, veçanërisht në Kiev, shkaktuan të paktën dy viktima, sipas autoriteteve lokale.
Administrata ushtarake e Kievit njoftoi për një zjarr në një depo pasi qytetarët u paralajmëruan për sulme me raketa. “Sipas informacioneve paraprake, një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur”, bëri të ditur administrata përmes Telegramit.
Në Zaporizhzhia, një burrë humbi jetën dhe katër persona të tjerë u plagosën nga një dron rus, sipas Ivan Fedorov, kreut të administratës ushtarake rajonale.
Në të gjithë Ukrainën, një varg sulmesh ajrore ruse shkaktoi të paktën 20 viktima. Mes tyre janë edhe 16 persona që u vranë nga një sulm me dron ndaj një qendre tregtare të mbushur me njerëz në Kryvyi Rih, qyteti i lindjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
