Një ngjarje e rëndë ka tronditur Aarau-n në Zvicër, ku gjatë një feste me muzikë elektronike, pranë hipodromit në zonën e Schachen, në kantonin Aargau, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Të lidhura
None found
Policia kantonale, e cituar nga transmetuesi zviceran SRF, bëri të ditur se një person ka vdekur, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Në njoftimin e parë, autoritetet folën për “disa viktima” dhe u kërkuan banorëve të mos afroheshin në zonën ku ndodhi incidenti. Njëkohësisht, dëshmitarëve iu bë thirrje të dorëzonin fotografi ose video që mund të ishin të dobishme për hetimin.
Dëshmitari: Të shtënat u morën për fishekzjarre
Një pjesëmarrës në festë ka përshkruar për mediat zvicerane çastet e panikut që pasuan.
“Rreth orës 02:30 muzika u ndërpre papritur dhe, pas një ose dy minutash, dëgjova të shtënat. Mendova se ishin fishekzjarre dhe nuk i kushtova rëndësi”, deklaroi ai.
Ai tregoi se pak më vonë një burrë, së bashku me një grua, i tha të strehohej pas një frigoriferi. Në fillim nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte, por më pas dëgjoi një plumb që goditi çatinë e tendës.
Kur doli jashtë, dëshmitari pa gruan të plagosur. Ai dhe persona të tjerë u përpoqën t’i jepnin ndihmë, por ajo humbi jetën për shkak të plagëve.
Disa persona që ndodheshin në festë kanë thënë se panë një individ me një pushkë automatike. Sipas tyre, ai u largua drejt pyllit, pranë automjeteve të parkuara, dhe më pas hyri në pyll.
Kërkimet për autorin vazhdojnë
I dyshuari për të shtënat ende nuk është kapur. Policia po vijon operacionin e kërkimit, ndërsa motivi dhe rrethanat e sakta të sulmit nuk janë bërë ende të ditura.
Forcat e policisë kantonale të Aargaut kanë zhvilluar një aksion të gjerë në zonë. Hapësira përreth hipodromit, pishinës dhe fushës sportive ku zhvillohej festa është bllokuar për publikun.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin e sulmit.
