Studimi amerikan: Parashikimet e zymta mbi ndryshimin e klimës, të gabuara

Mes shumë lajmeve të këqija dhe parashikimesh të zymta për klimën që do të përjetojnë gjeneratat e ardhshme, studimi i një universiteti amerikan mund të ndryshojë në mënyrë radikale perspektivën e klimës globale.

Bëhet fjalë për një studim të universitetit të Kolorados, i botuar në revistën Environmental Research Letters, sipas të cilit parashikimet për një rritje dramatike që do të çojë në rritje shkatërrimtare të nivelit të detit, nuk kanë gjasa.

Arsyeja, sipas hulumtuesve, është paradoksalisht e thjeshtë. Sipas tyre, ato parashikime bazohen mbi të dhëna që tashmë përdoren prej 15 vitesh, dhe që nuk pasqyrojnë situatën aktuale. Në veçanti, nuk pasqyrojnë tentativat e vendeve të ndryshme në dekadën e fundit për të respektuar Marrëveshjen e Parisit.

Studimi tregon se rritja e temperaturës, të paktën për 78 vitet e ardhshme, do të jetë rreth 2 gradë celsius, ende sipër objektivit të nënshkruar në Paris, por gjithsesi në rrugë të mirë, ndërkohë që parashikimet më alarmistë flisnin për një rritje pothuajse të trefishtë.
“Shumë ka ndodhur në dekadën e fundit, si shfrytëzimi më masiv i burimeve të rinovueshme, që janë sot më të pranishme sesa imagjinohej 15 vite më parë”, deklaron Matthew Burgess, një nga autorët e studimit, që shton gjithsesi që nuk ka vend t’u relaksuar, dhe se rritja e temperaturës do të ketë gjithsesi një impakt në klimë.

 


Shtuar 16.02.2022 11:12