Si mund të shmanget një Luftë e re e Ftohtë në një epokë shumë-polare

Nga Olaf Scholz “Foreign Affairs

Bota po përballet me një Zeitenwende, një ndryshim epokal. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka dhënë fund një epoke. Fuqitë e reja janë shfaqur ose janë rishfaqur, përfshirë një Kinë ekonomikisht të fortë dhe politikisht ambicioze. Në këtë botë të re shumë-polare, vende dhe modele të ndryshme qeverisje po konkurrojnë për pushtet dhe ndikim.

Nga ana e saj, Gjermania po bën gjithçka që mundet për të mbrojtur dhe nxitur një rend ndërkombëtar të bazuar në parimet e Kartës së OKB-së. Demokracia, siguria dhe prosperiteti i saj varen nga fuqia detyruese ndaj rregullave të përbashkëta.

Kjo është arsyeja pse gjermanët synojnë të bëhen garantët e sigurisë evropiane, diçka që e presin edhe aleatët tanë: urë-ndërtues brenda Bashkimit Evropian dhe avokatë të zgjidhjeve shumëpalëshe të problemeve globale. Kjo është mënyra e vetme, përmes së cilës Gjermania mund të ketë sukses në adresimin e përçarjeve gjeopolitike aktuale.

Zeitenwende, pika e kthesës shkon përtej luftës në Ukrainë, madje edhe përtej çështjes së sigurisë evropiane. Pyetja themelore është kjo: Si mund të mbetemi ne, si evropianë dhe si Bashkimi Evropian, aktorë të pavarur në një botë gjithnjë e më shumë-polare?

Gjermania dhe Evropa mund të ndihmojnë në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, edhe pa iu nënshtruar pikëpamjes fataliste se bota është e dënuar të ndahet sërish në blloqe rivale ndaj njëra-tjetrës. Historia e vendit tim na jep një përgjegjësi të veçantë për të luftuar forcat e fashizmit, autoritarizmit dhe imperializmit.

Në të njëjtën kohë, përvoja jonë kombëtare e ndarjes në 2 pjesë gjatë një gare ideologjike dhe gjeopolitike, na jep një vlerësim të veçantë të rreziqeve që vijnë nga një Luftë e re e Ftohtë. Për pjesën më të madhe të botës, 3 dekadat që nga rënia e “Perdes së Hekurt” kanë qenë një periudhë paqeje dhe prosperiteti relativ.

Përparimet teknologjike kanë sjellë një nivel të paprecedentë lidhje dhe bashkëpunimi. Zgjerimi ie tregtisë ndërkombëtare, zinxhirëve të vlerës dhe prodhimit, si dhe shkëmbimet e pashembullta të njerëzve dhe njohurive përtej kufijve, kanë nxjerrë mbi 1 miliardë njerëz nga varfëria.

Duke u fuqizuar, qytetarët në mbarë botën kanë rrëzuar diktaturat dhe i kanë dhënë fund sundimin njëpartiak. Dëshira e tyre për liri, dinjitet dhe demokraci ndryshoi rrjedhën e historisë. Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Për pasojë, shumica e vendeve evropiane i reduktuan ushtritë e tyre, po ashtu edhe buxhetet e tyre të mbrojtjes. Për Gjermaninë, arsyetimi ishte i thjeshtë: E pse duhet të mbajmë një ushtri prej 500.000 ushtarësh kur të gjithë fqinjët tanë na dukeshin si miq ose partnerë?

Fokusi i politikës sonë të sigurisë dhe mbrojtjes u zhvendos me shpejtësi drejt kërcënimeve të tjera urgjente. Luftërat ballkanike dhe pasojat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në 2001, përfshirë luftërat në Afganistan dhe Irak, rritën rëndësinë e menaxhimit të krizave rajonale dhe globale.

Edhe komunitetet e biznesit në Gjermani, nxorën përfundimet e tyre nga rrjedha e re e historisë. Rënia e “Perdes së Hekurt” dhe një ekonomi globale gjithnjë e më e integruar, krijoi mundësi dhe tregje të reja, sidomos në vendet e ish-bllokut lindor, por edhe në vende të tjera me ekonomi në zhvillim, veçanërisht në Kinë.

Me burimet e saj të mëdha të energjisë dhe lëndëve të tjera të para, Rusia ishte dëshmuar si një furnizuese e besueshme gjatë Luftës së Ftohtë. Ndaj dukej e arsyeshme, të paktën në fillim, që të zgjerohej ky partneritet premtues në kohë paqeje. Por udhëheqja ruse, e përjetoi shumë keq shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës dhe nxori përfundime shumë të ndryshme nga ato të liderëve në Berlin dhe kryeqytete të tjera evropiane.

Në vend se ta shihte shembjen paqësore të sundimit komunist si një mundësi për më shumë liri dhe demokraci, presidenti rus Vladimir Putin e ka quajtur atë “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”. Kaosi ekonomik dhe politik në pjesë të hapësirës post-sovjetike në vitet 1990, vetëm sa e forcoi ndjenjën e humbjes dhe ankthit, të cilën shumë qytetarë rusë e lidhin edhe sot e kësaj dite me rrëzimin e Bashkimit Sovjetik.

Pikërisht në atë mjedis filluan të rishfaqen autoritarizmi dhe ambiciet imperialiste. Në vitin 2007, Putin mbajti një fjalim agresiv në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke e sulmuar  rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla si një mjet të dominimit të SHBA-së. Një vit më pas, Rusia filloi një luftë kundër Gjeorgjisë.

Në vitin 2014, ajo pushtoi dhe aneksoi Krimenë, dhe dërgoi forcat e saj në pjesë të rajonit Donbas të Ukrainës Lindore, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin ndërkombëtar dhe angazhimet e traktatit të vetë Moskës. Në vitet që pasuan, Kremlini nënvlerësoi traktatet e kontrollit të armëve dhe i zgjeroi aftësitë e tij ushtarake, helmoi dhe vrau disidentët rusë, goditi shoqërinë civile ruse, dhe kreu një ndërhyrje brutale ushtarake në mbështetje të regjimit të Asadit në Siri.

Sulmi brutal i Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të këtij vitit krijoi një realitet thelbësisht të ri: Në Evropë ishte rikthyer imperializmi. Rusia po përdor disa nga metodat më të tmerrshme ushtarake të XXI dhe po shkakton vuajtje të papërshkrueshme në Ukrainë. Dhjetëra mijëra ushtarë dhe civilë ukrainas kanë humbur tashmë jetën; shumë të tjerë janë plagosur ose traumatizuar.

Miliona qytetarë ukrainas janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke kërkuar strehim në Poloni dhe vende të tjera evropiane. Një milionë prej tyre kanë ardhur në Gjermani. Artileria, raketat dhe bombat ruse i kanë rrënuar shtëpitë, shkollat dhe spitalet e Ukrainës. Mariupol, Irpin, Kherson, Izyum do të shërbejnë përgjithmonë për t’i kujtuar botës krimet e Rusisë, dhe autorët e tyre duhet të dalin para drejtësisë.

Bota nuk duhet ta lejojë që Putinin të ketë sukses në planet e tij. Imperializmi revanshist rus duhet të ndalet. Roli vendimtar për Gjermaninë në këtë moment është të bëhet një nga garantuesit kryesorë të sigurisë në Evropë duke investuar në ushtrinë tonë, duke e forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes, duke e forcuar praninë tonë ushtarake në krahun lindor të NATO-s dhe duke trajnuar dhe pajisur si duhet ushtrinë e Ukrainës.

Partneriteti transatlantik është dhe mbetet jetik për përballimin e këtyre sfidave. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe administrata e tij meritojnë të lavdërohen për ndërtimin dhe investimin në partneritete dhe aleanca të forta në të gjithë globin. Por një partneritet transatlantik i balancuar dhe elastik kërkon gjithashtu që Gjermania dhe Evropa të luajnë role aktive.

Një nga vendimet e para që mori qeveria ime pas sulmit rus ndaj Ukrainës, ishte caktimi i një fondi special prej rreth 100 miliardë dollarësh për të pajisur më mirë forcat tona të armatosura, Bundeswehr-in. Ne madje ndryshuam edhe kushtetutën për ta krijuar këtë fond.

Putini donte ta ndante Evropën në zona ndikimi dhe ta ndante botën në blloqe fuqish të mëdha dhe shtete vasale. Në vend të kësaj, lufta e tij ka shërbyer vetëm për të forcuar unionin. Në qershor Këshilli Evropian i dha Ukrainës dhe Moldavisë statusin e “vendeve kandidate: dhe ripohoi se e ardhmja e Gjeorgjisë është me Evropën.

Po ashtu ne ramë dakord që anëtarësimi në BE i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet më në fund realitet, një synim për të cilin unë jam i përkushtuar personalisht. Kjo është arsyeja pse unë kam ringjallur të ashtuquajturin Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të thellojë bashkëpunimin në rajon, duke afruar vendet dhe qytetarët e tyre dhe duke i përgatitur ata për integrimin në BE.

Është e rëndësishme të pranohet se zgjerimi i BE-së dhe integrimi i anëtarëve të rinj do të jetë i vështirë. Asgjë nuk do të ishte më e keqe se t’u japësh miliona njerëzve shpresa të rreme. Por rruga është e hapur dhe qëllimi është i qartë: një BE që do të përbëhet nga mbi 500 milionë qytetarë të lirë, që përfaqësojnë tregun më të madh të brendshëm në botë, që do të vendosë standarde globale për tregtinë, rritjen, ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit dhe që do të presë institute kërkimore kryesore dhe biznese novatore, një familje me demokraci të qëndrueshme që gëzojnë mirëqenie sociale dhe infrastrukturë publike të pashembullt.

Ndërkohë BE-ja duhet të kapërcejë konfliktet e vjetra dhe të gjejë zgjidhje të reja. Migrimi evropian dhe politika fiskale janë raste të tilla. Njerëzit do të vazhdojnë të vijnë në Evropë dhe Evropa ka nevojë për emigrantë, kështu që BE-ja duhet të hartojë një strategji imigrimi që është pragmatike dhe në përputhje me vlerat e saj.

Kjo do të thotë reduktim i migrimit të parregullt dhe në të njëjtën kohë forcim i rrugëve legale për në Evropë, veçanërisht për punëtorët e kualifikuar që tregjet tona të punës kanë nevojë. Ne duhet të shmangim tundimin për të ndarë edhe një herë botën në blloqe.

Kjo do të thotë se duhet të bëjmë çdo përpjekje për të ndërtuar partneritete të reja, në mënyrë pragmatike dhe pa fanatizma ideologjike. Në botën e sotme shumë të ndërlidhur, qëllimi për të avancuar paqen, prosperitetin dhe lirinë njerëzore kërkon një mentalitet të ndryshëm dhe mjete të ndryshme.

Marrë me shkurtime

Shënim: Olaf Scholz, është kancelar i Gjermanisë.

/albeu.com


Shtuar 6.12.2022 09:46