Një ballkon është shembur papritur në Palermo të Italisë, duke rrëzuar një grua 56 vjeçe, e cila u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë.
Të lidhura
None found
E plagosura është Gizella Nazs, shtetase me origjinë nga Hungaria dhe banuese në Palermo. Në momentin e ngjarjes, ajo ndodhej në shtëpinë e saj pranë stacionit qendror të qytetit.
Nga të dhënat paraprake rezulton se 56-vjeçarja kishte dalë për të varur rrobat, kur struktura e ballkonit u shemb nën këmbët e saj. Si pasojë e rënies, ajo pësoi dëmtime të rënda në trup dhe u transportua drejt spitalit me kod të kuq.
Ballkoni ishte i amortizuar dhe rreth tij ishte vendosur një rrjetë e gjelbër.
Policia dhe ekipet zjarrfikëse shkuan në vendin e ngjarjes, ku ndërhynë dhe nisën verifikimet për të përcaktuar rrethanat e incidentit.
Një banor i moshuar pranë pallatit ku ndodhi shembja tregoi se zakonisht pasdite ulen poshtë atyre ballkoneve për të marrë freski. Ai tha se gjithçka ndodhi në mënyrë të papritur dhe shprehu shpresën që gjendja e gruas të mos ishte shumë e rëndë.
Ngjarja në Palermo është rasti i dytë i këtij lloji i regjistruar në Itali brenda vetëm tre ditësh.
Më 14 gusht, një grua tjetër 56-vjeçare po qëndronte në tarracën e banesës së saj, në katin e tretë të një pallati në Livorno, kur edhe ajo strukturë u shemb pa paralajmërim.
Ajo u rrëzua nga një lartësi prej rreth 10 metrash dhe mbërriti në spital në gjendje kritike. Megjithëse mjekët u përpoqën ta shpëtonin, gruaja ndërroi jetë në spital.
