Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, deklaroi se Irani nuk do të mund të aplikojë taksa në Ngushticën e Hormuzit në kuadër të ndonjë marrëveshjeje përfundimtare me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se një masë e tillë do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Kjo është një korsi ndërkombëtare detare. Asnjë vend nuk lejohet të vendosë taksa ose tarifa në një korsi ndërkombëtare detare”, tha Rubio para gazetarëve, ndërsa shtoi se besonte që “të gjitha vendet në këtë rajon do të pajtoheshin me ne”.
Të lidhura
None found
Të martën, diplomati amerikan mbërriti në Abu Dhabi, në ndalesën e parë të një turi në vendet e Gjirit, i cili synon të qetësojë aleatët e SHBA-së të goditur nga raketat dhe dronët iranianë gjatë luftës me Iranin, një luftë që ata e kanë kundërshtuar.
Pas mbërritjes në Abu Dhabi, Rubio konfirmoi se gjatë bisedimeve do të trajtohej edhe protokolli i marrëveshjes me Iranin.
“Kjo me siguri do të diskutohet gjatë këtyre bisedimeve”, u shpreh ai para gazetarëve, kur u pyet nëse do të përpiqej të qetësonte aleatët e Gjirit, të cilët janë goditur rëndë nga hakmarrja iraniane për sulmet SHBA-Izrael.
“Disa pika që nuk janë në memorandumin e mirëkuptimit padyshim do të diskutohen, por vetë memorandumi me siguri do të duhet të shqyrtohet”, deklaroi ai.
Rubio shtoi se “një lexim i kujdesshëm i memorandumit të mirëkuptimit tregon qartë se kur flasim, për shembull, për një ndërprerje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive në të gjithë rajonin, kjo nuk është e mundur për sa kohë që përfaqësuesit e Iranit lëshojnë raketa dhe dronë nga Iraku dhe përfshihen në akte terroriste, siç kanë bërë Hamasi dhe Hezbollahu.”
Sekretari amerikan pritet të zhvillojë takime me autoritetet e Emirateve nesër, të mërkurën, përpara se të nisë udhëtimin drejt Kuvajtit dhe më pas në Bahrein, ku të enjten do të mbahet takimi i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
