Rrëzohet një avion luftarak rus afër Krimesë

Një avion luftarak rus, Su-35, është rrëzuar të enjten në afërsi të qytetit e uzurpuar Sevastopol, tha guvernatori i emëruar nga Rusia në gadishullin ukrainas, Mikhail Razvozhayev.

“Një avion ushtarak ra në det… objektet civile nuk janë dëmtuar”, tha Razvozhayev në Telegram.

Piloti e braktisi me kohë avionin dhe u gjet nga ekipet e shpëtimit rreth 200 metra larg bregdetit, tha Razvozhayev, duke shtuar se jeta e tij nuk është në rrezik.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar rreth raportimeve për rrëzimin e avionit ushtarak.

Kanalet ruse në Telegram raportuan më herët se një avion luftarak ruse, Su-35, u rrëzua në afërsi të Sevastopolit.

Shkaktari i rrëzimit të avionit nuk dihet.


Shtuar 28.03.2024 18:12