Rinisin negociatat për një armëpushim të ri në Gaza

Negociatat për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit do të rifillojnë sot në Kajro, sipas medias pro-qeveritare egjiptiane Al-Qahera News, e cila është e afërt me shërbimet egjiptiane të sigurisë.

“Një burim në shërbimet egjiptiane të sigurisë konfirmoi për Al-Qahera News rifillimin e negociatave për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në kryeqytetin egjiptian”, raportoi kanali.

Al-Qahera News këmbënguli gjithashtu në “përpjekjet e përbashkëta të Katarit dhe Egjiptit”, ndërmjetësues në këtë konflikt, “për të ruajtur përparimin” e arritur në raundet e mëparshme të negociatave.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të premten se i kishte dhënë dritën jeshile bisedimeve të reja për një armëpushim në Gaza, një territor palestinez që ka qenë nën rrethim dhe bombardime për gati gjashtë muaj dhe popullsia e të cilit kërcënohet me “uri të afërt”.

“Benjamin Netanyahu foli me drejtorin e Mossad-it (shërbimit të inteligjencës së jashtme të Izraelit) dhe drejtorit të Shin Bet (shërbimit të brendshëm të inteligjencës) dhe miratoi një raund të ri negociatash në ditët e ardhshme në Doha dhe Kajro”, thuhet në një deklaratë.

Dje, të shtunën në mbrëmje, qindra protestues kërkuan nga qeveria të gjente një zgjidhje për të arritur lirimin e njerëzve që u morën peng gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe që mbahen ende në Rripin e Gazës.

Pavarësisht përpjekjeve të Egjiptit, Katarit dhe Shteteve të Bashkuara, bisedimet për një armëpushim po ecin me një ritëm të ngadaltë, me Izraelin dhe lëvizjen islamike palestineze që fajësojnë njëri-tjetrin për ngërçin.


Shtuar 31.03.2024 10:38