Një person ka mbetur i vdekur, ndërsa shtatë të tjerë janë plagosur pas një sulmi rus me raketa ndaj Kievit, i kryer në orët e para të mëngjesit.
Bombardimet kanë shkaktuar dëme në një numër ndërtesash dhe automjetesh, si edhe kanë nxitur zjarre në disa pjesë të kryeqytetit ukrainas.
Të lidhura
None found
Autoritetet ukrainase njoftuan se Forcat Ajrore dhe komanda ushtarake e Kievit nisën të lëshonin paralajmërime të përsëritura për raketa që prej orës 01:20, duke u kërkuar qytetarëve të kërkonin strehim.
Sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko, flakë janë regjistruar në një konvikt, në një pallat banimi dhe në një supermarket. Ai tha se sulmet prekën të paktën pesë lagje të Kievit, ndërsa dëmtime u raportuan edhe në objekte dhe depo të tjera.
Shërbimet e emergjencës u angazhuan menjëherë për të shuar zjarret dhe për t’u ardhur në ndihmë personave të plagosur. Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë të verifikojnë dëmet e shkaktuara nga sulmet.
Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rusia ka kryer pothuajse çdo ditë sulme me raketa dhe dronë me rreze të gjatë veprimi kundër Kievit.
Ky sulm ndodh një ditë pasi një operacion ukrainas me dron goditi dy depo të kompanive logjistike në territorin rus, ku, sipas autoriteteve ruse, u shkaktuan të paktën tetë viktima.
Intensifikimi i goditjeve nga të dyja palët dëshmon se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet e ashpër, ndërsa nismat diplomatike për mbylljen e konfliktit nuk kanë prodhuar ende rezultate konkrete.
