Hezbollahu ka riafirmuar kundërshtimin e prerë ndaj marrëveshjes kornizë mes Libanit dhe Izraelit, duke theksuar se çarmatimi i organizatës nuk është në diskutim, edhe pas dobësimit të saj nga përplasjet e fundit me Izraelin.
Të lidhura
None found
Naim Qassem, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, deklaroi se lëvizja shiite e refuzon marrëveshjen dhe bëri thirrje që ajo të hidhet poshtë.
“Ne e kundërshtojmë marrëveshjen kornizë dhe kërkojmë braktisjen e saj”, u shpreh Qassem në një fjalim të transmetuar nga televizioni Al-Manar.
E firmosur më 26 qershor me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, marrëveshja synon t’i japë ushtrisë libaneze kontrollin mbi zonat jugore të vendit. Në kuadër të saj parashikohet edhe çarmatimi me faza i Hezbollahut, duke nisur në disa territore të përcaktuara si “zona pilot”, ndërsa më pas forcat izraelite do të tërhiqeshin prej tyre.
Qassem e hodhi poshtë këtë skemë, duke e përshkruar marrëveshjen si “të padrejtë, të paligjshme dhe poshtëruese”.
“Ne nuk pranojmë as zonat pilot, as zhvillimet që do të pasojnë krijimin e tyre”, deklaroi ai.
Udhëheqësi i Hezbollahut shprehu kundërshtim edhe ndaj ngritjes së një komiteti verifikimi, i cili do të kishte për detyrë të kontrollonte zbatimin e marrëveshjes dhe ecurinë e çarmatimit të organizatës.
Gjatë negociatave të mbajtura në Romë në fillim të gushtit, përfaqësuesit e Libanit dhe Izraelit biseduan për përbërjen e këtij komiteti. Mekanizmi pritet të mbikëqyrë dislokimin e ushtrisë libaneze në zonat pilot, si edhe eliminimin e armëve dhe të infrastrukturës ushtarake të Hezbollahut.
Një tjetër raund bisedimesh pritet të mbahet në shtator, por deri tani nuk është caktuar një datë e saktë.
Ndërkohë, situata në jug të Libanit mbetet e tensionuar. Izraeli vijon sulmet në territorin libanez dhe ende kontrollon disa zona në pjesën jugore të vendit.
Edhe pse aktiviteti ushtarak i Hezbollahut është ulur gjatë javëve të fundit, Qassem deklaroi se organizata nuk do të tërhiqet.
“Ne qëndrojmë me kokën lart dhe nuk dorëzohemi”, tha ai, duke përsëritur kundërshtimin e Hezbollahut ndaj çarmatimit dhe ndaj kushteve të marrëveshjes kornizë mes Libanit dhe Izraelit.
