Gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën në Moskë para qindra të diplomuarve të akademive ushtarake, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Perëndimi, nën drejtimin e NATO-s, po përgatitet për luftë kundër Rusisë.
Sipas tij, deri tani vendet anëtare të aleancës janë mjaftuar me mbështetjen ndaj Ukrainës. Por tani, shtoi presidenti rus, në Perëndim po thuhet hapur se ata po “përgatiten për luftë kundër nesh dhe po rrisin shpenzimet e tyre ushtarake”.
Të lidhura
None found
“Në këtë kontekst, ata po citojnë pretendime të rreme për një kërcënim të supozuar ushtarak nga Rusia”, u shpreh Putin.
Ai nënvizoi gjithashtu se Rusia është e përgatitur të reagojë ndaj çdo rreziku. “Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi në mënyrë operative dhe të përshtatshme çdo lloj kërcënimi”, theksoi presidenti i Federatës Ruse.
Pothuajse 40% e buxhetit rus shkon për shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë, si edhe për financimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë.
Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi në shkurt 2022, i shtyu vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s të mbështesin Kievin me ndihmë të gjerë ushtarake dhe ekonomike.
Ndërsa fundi i luftës ende nuk duket në horizont, në disa shtete perëndimore po rritet shqetësimi për mundësinë e një konflikti me Rusinë, çka ka sjellë edhe shtim të shpenzimeve për mbrojtjen.
