Presidenti Biden 6.6 miliardë dollarë për prodhimin e mikroprocesorëve në SHBA

Të hënën Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një investim prej 6.6 miliardë dollarësh për kompaninë tajvaneze “TSMC”, një prej prodhuesve kryesorë të mikroprocesorëve në botë.

Siç njoftojnë korrespondentët e Zërit të Amerikës, Anita Powell dhe Levi Stallings, plani parashikon ndërtimin e një fabrike të tretë që do të sjellë investimin e gjigantit të teknologjisë në Arizona në 65 miliardë dollarë.

Një gjysmëpërçues i vetëm është më i vogël se një kokërr rëre.

Por miliarda të tillë, te bashkuar në një mikroprocesor, mund të lidhin botën, të kontrollojnë armët dhe në të ardhmen mund edhe të ngasin makinën tuaj.

Por gjatë dekadave të fundit, prodhimi i gjysmëpërçuesve në Amerikë, kësaj teknologjie të shpikur në Shtetet e Bashkuara ka pësuar rënie.

“Si vend, dikur prodhonim 40 për qind të mikroprocesorëve për mbarë botën. Tani prodhojmë më pak se 10 për qind”, thotë Andy Wand nga Universiteti i Arizonës Veriore.

Por të hënën, administrata e Presiudentit Biden njoftoi një investim prej 6.6 miliardë dollarësh për prodhuesin më të njohur në botë të mikroprocesorëve për ndërtimin e një fabrike të tretë në shtetin e Arizonës.

Kompania tajvaneze e prodhimit të gjysmëpërçuesve, e njohur si TSMC, thotë se në bazë të planeve të saj, Shtetet e Bashkuara do të arrijnë të prodhojnë 20 për qind të gjysmëpërçuesve më të avancuar në botë deri në fund të kësaj dekade.

Ndihma amerikane vjen pas miratimit dypartiak të një ligji për mikroprocesorët dhe shkencën, të cilin Presidenti Biden e kishte theksuar gjatë një vizite më 2022 në objektin e parë të kompanisë TSMC në Arizona.

“Prodhimtaria amerikane është rikthyer”, tha zoti Biden më 6 dhjetor 2022.

Inxhinierët thonë se plani trajton një nga dobësitë më të mëdha të prodhimit amerikan të mikroprocesorëve.

“Në 15-20 viteve të fundit, kemi hyrë në një cikël ku novacioni është ngadalësuar. Përparësi i është kushtuar rezultateve financiare, rritjes së të ardhurave për investitorët dhe blerjes së aksioneve. Ky ligj është mundësia e përsosur për ta përmirësuar atë“, thotë Todd Achilles nga Universiteti Berkeley i Kalifornisë.

Por, ekspertët thonë se Amerika ka nevojë urgente për punonjës të kualifikuar për këtë sektor. Shtëpia e Bardhë thotë se investimi i ri mund të krijojë 25 mijë vende pune. Pyetja është se a ka punëtorë të mjaftueshëm për ta plotësuar këtë nevojë?

“Kolegji ynë i inxhinerisë është më i madhi në vend, me mbi 33 mijë studentë të regjistruar dhe ne vazhdojmë të dëgjojmë ankesat e kompanive në industrinë e gjysmëpërçuesve për mungesë të punonjësve të aftësuar”, thotë Zachary Holman nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Më 2022 kompania “TSMC” nisi punimet për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e mikroprocesorëve më të përparuar në botë.

Krahas avancimit të teknologjisë, prodhimi i mikroprocesorëve mund të bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar dhe i shtrenjtë.

A do të mundet vendi që krijoi mikroprocesorin e fuqishëm të qëndrojë në krye? Duket se Presidenti Biden beson se po.


Shtuar 9.04.2024 18:44