Prej ditësh e bllokuar, anija “Ever Given” nis zhvendosjen drejt bregut

Anija e madhe me kontejnerë “Ever Given”që u bllokua të martën në kanalin e Suezit është zhvendosur. Videoja e postuar në mediat sociale të hënën tregon anijen prej 400 metrash të gjatë duke u zhvendosur drejt bregut. Edhe kompania e shërbimeve detare Inchcape raportoi se anija ishte liruar.

Lëvizja e anijes ishte një përpjekje e gjatë që përfshiu varka tërheqëse dhe gërmues. Kanali, i cili kalon nëpër Egjipt, është një nga rrugët më të ngarkuara tregtare. Tokëzimi i Ever Given – pjesë e flotës Evergreen – do të thoshte që anijeve të tjera iu duhej të ri-drejtoheshin rreth Afrikës.

Pas disa ditësh dështimi për të liruar anijen, të dielën zyrtarët filluan përgatitjen për të hequr rreth 20 000 kontejnerë në bordin e anijes në mënyrë që të lehtësonin ngarkesën.

Sipas ekspertëve një operacion i tillë përfshinte sjelljen e pajisjeve të specializuara, përfshirë një vinç që do të duhet të shtrihej më shumë se 60 metra dhe se do të duheshin javë.

Ever Given ishte bllokuar që nga e marta në mënyrë diagonale nëpër kanal, duke penguar plotësisht rrugën ujore me gjerësi afërsisht 300 metra, një nga më të ngarkuarat në botë. Kanali i Suezit, afërsisht 192 km i gjatë, dhe në të kalon rreth 12% e tregtisë ndërkombëtare detare dhe çdo ditë që ndalet, shkakton vonesa dhe kosto të konsiderueshme. Në total, gati 400 anije mbetën të bllokuara në skajet dhe qendrën e kanalit që lidh Detin e Kuq me Detin Mesdhe.

Një rrugë alternative, rreth Kepit të Shpresës së Mirë në skajin jugor të Afrikës, mund të zgjasë dy javë më shumë.

Shtuar 29.03.2021 12:03