Një shtetas italian, i cilësuar nga autoritetet si “Mjeshtri i arratisjeve”, është arrestuar në Spanjë pas një operacioni të policisë. Ai konsiderohet i rrezikshëm dhe kishte arritur të largohej në katër raste nga burgjet.
Të lidhura
None found
Identiteti i të arrestuarit nuk është bërë i ditur, ndërsa Italia e kërkonte përmes një urdhër-arresti europian. Arratisjen e fundit e kreu në dhjetor, nga një burg italian i sigurisë së lartë. Sipas autoriteteve, ai preu hekurat e një dritareje dhe u largua nga godina duke përdorur çarçafë të lidhur së bashku.
Para kësaj, ai ishte arratisur edhe nga burgjet e Ternit dhe Parmës në Itali, si dhe nga një burg në Belgjikë. Në rastin e arratisjes nga institucioni belg, i dënuari kishte kapërcyer muret rrethuese duke u ndihmuar nga një piramidë njerëzore.
Policia spanjolle e gjeti në një lagje të Tarragona-s, ku dyshohej se ishte vendosur. Gjatë ndërhyrjes për arrestimin e tij, ai kundërshtoi efektivët, ndërsa disa persona që ndodheshin me të u përpoqën të pengonin operacionin. Njëri prej tyre dyshohet se plagosi dy punonjës policie.
Kontrolli zbuloi se i arrestuari mbante dokumente të falsifikuara, si dhe kartëmonedha 500-euroshe që dyshohet se ishin të falsifikuara.
Gjykata urdhëroi që ai të qëndrojë në paraburgim, pa mundësi lirimi me kusht, deri në përfundimin e procedurave për ekstradimin e tij në Itali.
