Shembja e një muri gjatë përmbytjeve të befasishme në verilindje të Spanjës i ka marrë jetën një gruaje dhe vajzës së saj 18-vjeçare, të cilat kishin pësuar plagë të rënda.
Të lidhura
None found
Tragjedia u regjistrua pranë vijës bregdetare, në portin e Ronda de Bera, afro 75 kilometra në jugperëndim të Barcelonës. Nëna dhe vajza ishin dy prej tre personave që mbetën të plagosur si pasojë e motit të keq.
Mediat spanjolle raportojnë se ato kishin kërkuar strehim në një kioskë të një tregu të hapur. Për shkak të presionit të ujit, muri që ndante rrugën nga një banesë u rrëzua mbi të dyja, duke u shkaktuar dëmtime kritike.
Përmes një njoftimi në Instagram, autoritetet e Ronda de Beras konfirmuan se dy gratë nuk arritën t’u mbijetonin plagëve. Bashkia vendosi gjithashtu shpalljen e dy ditëve zie zyrtare.
Ngushëllime për familjarët e viktimave përcolli edhe presidenti i Katalonjës, Salvador Illa. Në një reagim në X, ai u shprehu atyre mbështetjen e tij në këtë periudhë dhimbjeje.
Moti i rënduar la pas dëme të konsiderueshme në zonë. Afro dhjetë persona u lënduan, ndërsa autoritetet evakuuan një kamping dhe një klub nate. Uji përfshiu rrugët dhe la disa njerëz të bllokuar në automjetet e tyre.
Reshjet intensive dhe vërshimet e menjëhershme kanë vijuar të godasin zonën, ndërkohë që autoritetet po e mbajnë situatën nën monitorim.
