Sulmi izraelit me 12 viktima në Rafah, ditën që SHBA dërgoi ndihma humanitare, ka detyruar Hamasin të ulet në bisedime.
Mediat ndërkombëtare theksojnë se, përfaqësuesit e Hamasit, Katarit dhe Shteteve të Bashkuara ndodhen në Kajro për të negociuar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza.
Një zyrtar i lartë i Hamasit, citohet të ketë thënë se një armëpushim në Rripin e Gazës është i mundur “brenda 24-48 orëve” nëse Izraeli pranon kërkesat e lëvizjes islamike palestineze.
“Nëse Izraeli pranon kërkesat e Hamasit, të cilat përfshijnë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore dhe një rritje të ndihmës humanitare, mund të hapë rrugën për një marrëveshje”, thuhet në deklaratën e cituar nga përfaqësuesi i Hamasit.
Numri total i të vdekurve në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës më 7 tetor është rritur në 30,410. Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe nisi një ofensivë të madhe ushtarake pas sulmit të militantëve në Izrael më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë.