Organizata Human Rights Watch akuzoi Izraelin se po përdor urinë si armë lufte, duke e akuzuar atë për krime të vazhdueshme lufte në Gaza.
Drejtori i Human Rights Watch për Izraelin dhe Palestinën, Omar Shakir, akuzoi autoritetet izraelite se për muaj me radhë kanë privuar qëllimisht popullsinë e Gazës nga ushqimi dhe uji, duke penguar me dashje ndihmën humanitare. Ai shtoi se sulmet në objekte që shërbenin për të mbijetuar civilët janë të qëllimshme, njësoj si sulmet në magazine ushqimesh apo furrash buke.
Mediat shkruajnë se raporti i hartuar nga organizata bazohet në intervista me 11 palestinezë të zhvendosur në Gaza, deklarata publike nga anëtarë të qeverisë izraelite dhe deklarata të organizatave, duke përfshirë Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Programin Botëror të Ushqimit, Oxfam dhe Këshillin Norvegjez të Refugjatëve.
“Deklaratat e zyrtarëve të nivelit të lartë izraelit tregojnë se kjo është një politikë e qëllimshme për të vrarë civilët,” tha Shakir.
Raporti i Human Rights Watch thekson se zyrtarët e lartë izraelitë, duke përfshirë ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, Ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir dhe Ministrin e Energjisë Israel Katz kanë bërë deklarata publike duke shprehur qëllimin e tyre për të privuar civilët në Gaza nga ushqimi, uji dhe karburanti.
Në përfundim, drejtuesi i kësaj organizate shtoi se udhëheqësit botërorë duhet të flasin dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të parandaluar mizoritë e mëtejshme.