Temperatura mesatare e sipërfaqes së deteve dhe oqeaneve në mbarë botën ka prekur nivelin më të lartë që prej nisjes së regjistrimeve në vitin 1979.
Të lidhura
None found
Të dhënat e programit të Bashkimit Europian, Copernicus, tregojnë se më 22 gusht temperatura mesatare globale e oqeaneve arriti në 21,1 gradë Celsius. Ky rekord është i pazakontë edhe për periudhën kur u shënua, pasi vlerat më të larta zakonisht regjistrohen gjatë muajve mars dhe prill, pas verës në hemisferën jugore.
Vlera e mëparshme rekord ishte 21,09 gradë Celsius dhe u regjistrua në mars të vitit 2024. Klimatologu Stefan Rahmstorf, nga Instituti i Potsdamit për Kërkimin e Ndikimeve Klimatike, e lidh rekordin e ri kryesisht me ngrohjen globale të nxitur nga emetimet e gazeve serrë, veçanërisht ato që vijnë nga djegia e naftës, gazit natyror dhe qymyrit.
Ndikim në rritjen e temperaturave ka edhe El Niño, fenomeni klimatik që shfaqet periodikisht në Oqeanin Paqësor dhe prek më fort zonat tropikale. Sipas Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Copernicus, ky fenomen po e përforcon më tej ngrohjen e oqeaneve.
Rritja e pandërprerë e temperaturave po rëndon ekosistemet detare dhe komunitetet bregdetare. Ndër pasojat më serioze renditet dëmtimi dhe shkatërrimi i shkëmbinjve koralorë në mbarë botën, i cili shihet si një ndër rreziqet kryesore të ndryshimeve klimatike.
Copernicus paralajmëron se ujërat më të ngrohta detare mund të shtojnë edhe mundësinë e fenomeneve ekstreme të motit. Një oqean i ngrohtë çliron më shumë nxehtësi dhe lagështi në atmosferë, duke favorizuar reshje më të dendura dhe stuhi më të fuqishme.
Ndërkohë, rritja e temperaturës së oqeaneve mund të ulë aftësinë e tyre për të thithur dioksidin e karbonit nga atmosfera. Kjo dobëson një prej mekanizmave natyrorë më të rëndësishëm për kufizimin e ndryshimeve klimatike.
