Një cisternë është goditur në Ngushticën e Hormuzit nga një “predhë e panjohur”, çka ka shkaktuar zjarr në anije.
Ngjarja u konfirmua herët të enjten nga Zyra Britanike e Informacionit për Sigurinë Detare (UKMTO), e cila është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Të lidhura
None found
UKMTO njoftoi se flakët janë shuar tashmë dhe se të gjithë anëtarët e ekuipazhit ndodhen në gjendje të sigurt. Sipas autoriteteve, nuk ka pasur raportime për pasoja në mjedis.
Ky sulm ndodh një ditë pas një rasti të ngjashëm të shënuar të mërkurën, duke rritur shqetësimet lidhur me sigurinë e lundrimit në një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë.
Ende nuk dihet nën flamurin e cilit shtet lundronte cisterna, nëse kishte ngarkesë në bord apo cili ishte destinacioni i saj.
Që prej nisjes së luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, pas sulmit SHBA-Izrael ndaj Iranit, Ngushtica e Hormuzit është shndërruar në një zonë me tension të lartë.
Pas shpërthimit të konfliktit, Irani deklaroi mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën bllokadë ndaj porteve iraniane në Gjirin Persik.
Incidenti i fundit pritet të thellojë shqetësimet për mbrojtjen e anijeve tregtare dhe transportin e energjisë nëpër këtë zonë strategjike.
