Presidenti francez Emmanuel Macron ftoi liderët evropianë, përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama, të mblidhen në Paris. Macron i priti me përqafime të ngrohta, në veçanti Ramën, por edhe liderët e tjerë. Të hënën, në kryeqytetin francez mbërriti gjithashtu presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u kërkoi vendeve evropiane të përshpejtonin përpjekjet për zhvillimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës përpara dimrit. Gjatë kësaj stine, Rusia intensifikon sulmet për t’u mohuar ukrainasve energjinë elektrike, ngrohjen dhe ujin.
Të lidhura
None found
Në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve, ku Shqipëria përfaqësohej nga kryeministri Edi Rama, u vendos ndërtimi i një programi të përbashkët evropian anti-balistik.
Programi synon të forcojë mbrojtjen e kontinentit ndaj raketave balistike, duke u mbështetur në përvojën që Kievi ka fituar në luftën me Rusinë, e cila vijon prej më shumë se katër vitesh.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën gjatë takimit me Zelenskyn, udhëheqësit evropianë theksuan: “Qëllimi ynë është të ndërtojmë një aftësi të përbashkët mbrojtëse nga raketat balistike për Evropën”.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar nënshkroi pjesëmarrjen në kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh që Bashkimi Evropian ka ndarë për Ukrainën. Ky veprim përbën hapin e parë të bashkëpunimit të ngushtë midis BE-së dhe Britanisë pas largimit të kësaj të fundit nga blloku në vitin 2020, si rrjedhojë e Brexit-it.
Sipas deklaratës së vendeve pjesëmarrëse, programi anti-balistik do të përfshijë “një arkitekturë të integruar mbrojtjeje raketore, për të penguar dhe neutralizuar kërcënimet e ardhshme nga raketat”.
