Ndërroi jetë nga mbidozë kafeine pasi priti 7 orë për ambulancë, tragjedia që tronditi Australinë

Një hetim në Australi ka zbuluar detaje tronditëse mbi vdekjen e një gruaje 32-vjeçare në prill të vitit 2021, e cila humbi jetën pas një mbidoze kafeine ndërsa priste shtatë orë për një ambulancë.

Christina Lackmann, e cila jetonte në Melbourne, telefonoi shërbimet e emergjencës në orën 19:49, duke raportuar marramendje dhe mpirje në të gjithë trupin. Megjithatë, ajo u klasifikua si një rast “jo-urgjent”, dhe nuk mori ndihmën e nevojshme në kohë.

Për shkak të mbingarkesës në sistem, askush nga personeli mjekësor i disponueshëm nuk mund ta merrte përsipër rastin. U bënë 14 përpjekje për ta kontaktuar sërish, por Christina nuk u përgjigj. Kur ambulanca mbërriti më në fund në orën 2:23 të mëngjesit, ajo u gjet e vdekur në banjën e apartamentit të saj, së bashku me qenin që po lehte pranë trupit të saj.

Hetimi zbuloi se atë ditë, Christina kishte marrë një pako me tableta kafeine, ndonëse gjatë telefonatës me urgjencën nuk përmendi se kishte konsumuar ndonjë medikament. Mjekësia ligjore konfirmoi përqendrime të larta të kafeinës në gjak dhe në stomak.

Mjekja ligjore Catherine Fitzgerald deklaroi se nëse do t’i ishte ofruar ndihmë më herët, Christina kishte shumë të ngjarë të mbijetonte. Edhe eksperti toksikolog, prof. Narendra Gunja, theksoi se nëse do të ishte marrë informacioni i duhur gjatë telefonatës, pacientja mund të kishte përfituar nga trajtime jetike si hemodializa ose antidotë specifikë për mbidozën.


Shtuar 17.06.2025 13:11