Një punonjëse 28-vjeçare e një laboratori mjekësor ka humbur jetën nga murtaja pneumonike në Irkutsk të Siberisë, ndërsa rreth 200 persona që mund të kenë qenë në kontakt me të janë izoluar në karantinë, sipas raportimeve të mediave ruse.
Daria Shipilova, e cila punonte si teknike laboratori në Institutin e Kërkimeve të Murtajës në Irkutsk, dyshohet se u infektua gjatë detyrës. Sipas të dhënave të publikuara, infektimi mund të ketë ndodhur pas thyerjes së një epruvete në ambientet e laboratorit.
Të lidhura
None found
Personat që mund të kenë pasur kontakt me 28-vjeçaren janë vendosur nën karantinë nga autoritetet. Deri në atë moment, Ministria ruse e Shëndetësisë nuk kishte bërë një njoftim zyrtar për rastin.
Guvernatori i Buryatias, Alexei Chidenov, kishte deklaruar më herët përmes rrjeteve sociale se një grua në rajonin fqinj të Irkutskut kishte vdekur pasi ishte prekur nga murtaja.
Murtaja shkaktohet nga bakteret dhe konsiderohet një sëmundje infektive. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se varianti pneumonik përhapet lehtësisht dhe mund të shkaktojë vdekjen nëse trajtimi nuk nis menjëherë.
