Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, mbërriti në Kiev mëngjesin e së martës në një vizitë befasuese, për ta mbështetur Ukrainën.
Vizita e saj nuk ishte paralajmëruar paraprakisht për shkaqe sigurie.
Ministrja gjermane bëri thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, në një kohë kur Rusia po kryen një ofensivë të re në rajonin e Harkivit.
Kjo është vizita e shtatë e Baerbockut në Ukrainë, prej se Rusia e nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt 2022.
Gjermania është njëra prej mbështetësve më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtuesit rus.
Në fillim të këtij muaji, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius , tha se vendi i tij do t’ia dërgojë Ukrainës tre sisteme të tjera raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, të njohura si HIMARS.
HIMARS është një raketahedhës i vendosur në kamion, i cili mund shkrep raketa të shumëfishta përnjëherë.
Në prill, Qeveria gjermane njoftoi se do t’ia dërgonte menjëherë Ukrainës një kundërajror Patriot, një sistem mbrojtës ajror, me të cilët presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë ta furnizojnë Kievin.
Ushtria ukrainase është duke u përballur me trysni të madhe në javët e fundit nga një ofensivë e re e Rusisë në rajonin e Harkivit. Trupat e Kievi po përballen po ashtu me mungesë të municioneve.
Rusia pretendon se i ka marrë nën kontroll një sërë vendbanimesh gjatë kësaj ofensive.