Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se takimi i zhvilluar në Nju Jork mes ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Rusisë tregoi se Moska “nuk është aspak e interesuar për negociata serioze” për luftën në Ukrainë.
Të lidhura
None found
Gjatë një konference për shtyp në Berlin, Merz tha se Gjermania po ndjek përpjekje të fuqishme diplomatike. Ai iu referua takimit të papritur të së shtunës mes Johann Vandeful dhe Sergei Lavrov, i cili u zhvillua përpara fjalimit të ministrit rus në Kombet e Bashkuara.
Ky ishte kontakti i parë i këtij niveli që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Ndërkohë, Berlini mbetet mbështetësi kryesor ushtarak i Kievit.
“Mënyra se si Rusia e vlerësoi më pas këtë takim e bëri të qartë se, për momentin, ajo nuk ka aspak interes për negociata serioze”, u shpreh Merz në konferencën e përbashkët me Presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev.
Pas bisedimeve me Vandeful, Lavrov foli nga podiumi i OKB-së. Ai akuzoi Evropën se po pengon paqen në Ukrainë dhe deklaroi se Moska do t’i përmbushë objektivat e saj në këtë vend “nën çdo rrethanë”.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se takimi nuk solli asnjë zhvillim të ri, por përfundoi me “një tallje nga pala ruse”.
Merz përsëriti thirrjen ndaj qeverisë ruse që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të zhvillojë negociata të mirëfillta për t’i dhënë fund luftës.
Kancelari gjerman premtoi gjithashtu se do të “bëjë gjithçka që mundet për të vazhduar të ndihmojë Ukrainën”, duke paralajmëruar se Rusia “do të duhet të paguajë çmimin” nëse vijon luftën.
