“Luftë” mes bandave të drogës dhe policisë në Meksikë, 12 të vrarë

Dymbëdhjetë persona të armatosur u vranë pas një përleshjeje me ushtrinë në Tamaulipas, njoftuan të dielën autoritetet e shtetit verilindor meksikan.

Konflikti shpërtheu kur një patrulle ushtarake në komunën e Miguel Aleman, në kufirin me SHBA-në u sulmua, tha Departamenti i Sigurisë së Shtetit në rrjetet sociale.

“Elementet e SEDENA -s (të ushtrisë) u sulmuan nga civilë të armatosur të cilët ishin fshehur mnes bimëve” dhe “janë neutralizuar 12 sulmues”, tha i njëjti burim për incidentin, i cili ndodhi rreth orës 14:00 me orën lokale.

Burime qeveritare konfirmuan për AFP se 12 sulmues, që besohet se ishin anëtarë të një karteli droge, u vranë gjatë përleshjes me ushtrinë, anëtarët e së cilës përdorën drone dhe një helikopter.

Tamaulipas është ndër shtetet e prekura nga dhuna e krimit të organizuar. Qyteti shpesh kthehet në një teatër konfliktesh midis bandave rivale, që konkurrojnë për kontrollin e rrugëve të arta të trafikut të drogës në SHBA.

Më shumë se 420,000 vrasje janë regjistruar zyrtarisht në Meksikë që kur filloi e ashtuquajtura “lufta kundër drogës” në vitin 2006 , me vendosjen e forcave të armatosura brenda vendit për të goditur kartelet.

Që atëherë, shkalla e vrasjeve në vend është trefishuar, duke arritur në 25 për 100,000 banorë. Janë regjistruar gjithashtu mbi 110,000 zhdukje me forcë, shumica që nga viti 2006. Shumica e vrasjeve dhe zhdukjeve me forcë i atribuohen nga autoritetet bandave të krimit të organizuar.


Shtuar 19.02.2024 16:59