Maqedonia e Veriut i është bashkuar radhës së vendeve që kanë vendosur të ndërhyjnë për të zbutur përshkallëzimin e çmimeve të karburanteve.
Të lidhura
None found
Në periudhën 15-28 shtator, ekzekutivi ka vendosur të reduktojë TVSH-në për produktet e naftës nga 18% në 10%, teksa vazhdon të mbetet në fuqi edhe pakësimi i akcizës. Duke marrë si shembull naftën, ndikimi i përgjithshëm i këtyre masave arrin rreth 7 denarë për litër, duke parandaluar kështu një rritje shtesë të barrës për xhepat e konsumatorëve. Çmimi përfundimtar për litër shënon 99 dinarë, ose ekuivalenti i 1.48 eurove.
Nga ana tjetër, edhe Italia ka vendosur të zgjasë deri më 17 shtator lehtësimin e akcizës për naftën, i cili arrin në rreth 17 centë për litër. Kjo masë përfaqëson një përpjekje për të mbrojtur si familjet ashtu edhe bizneset nga rritjet e ndjeshme të kuotimeve në tregjet globale. Në të njëjtën linjë, Spanja është duke zbatuar reduktime të përkohshme tatimore si për benzinën ashtu edhe për naftën. Ndërkohë, Qiproja e ka zgjatur deri në fund të nëntorit lehtësimin fiskal prej 8,33 centësh për litër për të dy llojet e karburanteve.
Edhe shtete të tjera kanë përqafuar masa mbështetëse, të cilat variojnë nga uljet e akcizës dhe rimbursimet e deri te subvencionet e drejtpërdrejta. Qeveritë respektive po synojnë të absorbojnë një pjesë të kostove të krizës energjetike duke sakrifikuar të ardhurat tatimore, me qëllim final lehtësimin e pozitës së konsumatorëve. Objektivi është që rritja e çmimit të naftës të mos reflektohet menjëherë në një përshkallëzim të kostos së transportit, ushqimeve dhe produkteve të tjera esenciale.
